35 C
Pec
E hënë, 15 Korrik, 2024

Stano: Kosova ende nuk ka dorëzuar një raport për Banjskën, autoritetet kosovare janë përgjegjëse

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano sot në konferencë për media ka thënë para gazetarëve se Kosova është ajo që duhet fillimisht të bëjë hetimin për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Stano tha se sulmi në Banjskë është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës, dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetim dhe ofrimin e një raporti të plotë.

Sipas tij, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, dhe BE-ja vazhdon të mos ketë rezultatet të hetimit për Banjskën.

“Në lidhje me hetimin ( për Banjskën). Fillimisht, hetimi duhet të bëhet nga autoritetet kosovare. Nëse po i referoheni incidentit në Banjskë, të 24 shtatorit, kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetimin dhe ofrimin e një raporti të plotë hetimi. Kjo nuk ka ndodhur ende, kështu që nuk mund të vazhdojmë pa pasur rezultatet e hetimit”, ka thënë Stano.

Ai e ka theksuar se si Kosovës, poashtu edhe Serbisë menjëherë pas sulmit u është bërë e qartë pozita e BE-së, por që siç tha Stano të gjitha gjetjet duhet të përfshihen në raportin final, që sipas tij ata ende se kanë pranuar deri tani.

“Menjëherë pas sulmit dhe ditë, javë e muaj më vonë, kemi bërë të qartë pozitën tonë se çka presim nga dy palët, si Kosova ashtu edhe Serbia kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e mundshme ose mbështetjen e këtij sulmi të tmerrshëm nga ana serbe. Përsëri e gjithë kjo duhet të jetë objekt hetimi, dhe gjetjet do të përfshihen në raportin final, i cili me gjasë nuk është përfunduar ende ose të paktën, nuk na është vënë në dispozicion deri në këtë fazë”, tha Stano para gazetarëve.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, një grup paraushtarak serb me në krye Millan Radojiçiq, kryen sulm terrorist ndaj policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën dy polic./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...