Për mbylljen e pesë institucioneve paralale në veri nga Policia e Kosovës, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se situata atje është goxha e paqëndrueshme dhe i ka bërë thirrje sërish autoriteteve kosovare që të shmangin veprimet e njëanshme.
Zëdhënësi i BE-së ka kërkuar që të mos merren hapa të pakoordinuar që kontribuojnë në rritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e situatës edhe më shumë.
Ai shpreson që të gjitha çështjet e ndodhura së fundmi të zgjidhen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Bashkimi Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me homologët kosovarë në nivele dhe formate të ndryshme dhe ne po i përcjellim mesazhet dhe pritshmëritë tona shumë qartë. Nuk do ta përsëris atë që thamë në reagimin tonë të javës së kaluar kur u zhvillua aksioni në veri të Kosovës kundër disa institucioneve të drejtuara nga serbët e atjeshëm. Por në fund të fundit kemi një problem”.
“Kemi një situatë që tashmë është goxha e paqëndrueshme dhe shqetësimi ynë kryesor është, dhe ky është mesazhi kryesor për autoritetet e Kosovës, që të shmangin çdo veprim dhe hap që janë të njëanshëm, të pakoordinuar dhe mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e situatës edhe më shumë. Pra, ne jemi duke u angazhuar me partnerët në Kosovë. Ne po i japim këto mesazhe dhe shpresojmë që më në fund të mundohemi t’i zgjidhim këto çështje aty ku i takojnë dhe i përkasin, para së gjithash, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha Stano në konferencën e përjavshme në Bruksel.
Policia e Kosovës më 30 gusht mbylli pesë institucione paralele në veri, Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Madje, Policia e Kosovës ka ftuar për intervistim edhe pesë serbë përfaqësues të institucioneve paralele në veri.
Lidhur me aksionin, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se ndërkombëtarët kanë qenë të informuar se do të mbyllen këto komuna paralele, derisa shtoi se mbyllja e tyre nuk do të duhej të ishte lajm pas kaq vitesh.
Lidhur me objektet ku funksionin këto institucione paralele, Veton Elshani tha se ato do t’u kthehet pronarëve legjitim.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shpreh e zhgënjyer dhe eshqetësuar me aksionin e Policisë së Kosovës. Në reagimin e ambasadës u tha se veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.
“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimin që të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhej në reagim./Njeshi/