Kryeministri britanik, Keir Starmer ka përsëritur nevojën për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, ndërsa përpjekjet diplomatike për të qetësuar tensionet vazhdojnë.
“Kryeministri britanik zhvilloi sot një bisedë telefonike me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman”, tha një zëdhënës i “Downing Street”.
“Ata diskutuan situatën shqetësuese në Lindjen e Mesme dhe ranë dakord për të rritur përpjekjet për uljen e tensioneve”, shtoi zëdhënësi.
“Starmer përsëriti se Britania e Madhe ishte e gatshme të punonte ngushtë me aleatët e saj në ditët në vijim për të mbështetur një rezolutë diplomatike”, tha “Downing Street”.
Sekretari i Jashtëm, David Lammy do të informohet sot nga zyrtarët mbi zhvillimet e fundit dhe pritet të bisedojë me liderët në Lindjen e Mesme.
Media shtetërore iraniane tha se Teherani kishte paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Francën të mos e ndihmojnë Izraelin të ndalojë sulmet e Iranit.
Irani nisi sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit gjatë natës pas një serie sulmesh izraelite në zemër të programit bërthamor dhe forcave të armatosura të Teheranit.
Ambasadori i Teheranit në OKB tha se 78 persona ishin vrarë dhe më shumë se 320 ishin plagosur në sulmet e Izraelit.
Starmer dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump bënë thirrje për “diplomaci dhe dialog” gjatë një bisede telefonike dje pasdite, mes përpjekjeve diplomatike nga vendet perëndimore për të qetësuar konfliktin.
Më herët, Starmer i kërkoi homologut të tij izraelit, Benjamin Netanyahu të ulte tensionet dhe të punonte drejt një “zgjidhjeje diplomatike”. /Njeshi/