Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer është i hapur për t’i dërguar azilkërkuesit në Shqipëri, në skemën e ngjashme sikur ajo e përgatitur nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Starmer u ka thënë gazetarëve që udhëtonin me të në Washington DC përpara se të fluturonte për në Romë, se do të shohë mundësitë sesi do të funksiononte marrëveshja e Italisë me Shqipërinë në lidhje me përpunimin e kërkesave për azil, shkruan The Independent.
Menjëherë pasi pati marrë pushtetin në korrik, Sir Keir anuloi marrëveshjen e Mbretërisë së Bashkuar me Ruandën, e cila ishte krijuar nga qeveria e mëparshme konservatore me kosto prej 700 milion funtesh.
Por ai tani duket i hapur ndaj skemave të ngjashme në një vend evropian.
“Le të shohim. Është në ditët e para. Unë jam i interesuar se si funksionon kjo, mendoj se të gjithë të tjerët janë. Është shumë herët”, ka deklaruar Keir kur është pyetur për skemën e Italisë.
Plani italian është kritikuar nga shumë njerëz dhe përfshin hapjen e kampeve për azilkërkuesit që do të mbajnë deri në 3,000 njerëz. Qeveria e Melonit ka ulur në mënyrë dramatike numrin e njerëzve që vijnë nëpër Mesdhe në Itali nga Afrika e Veriut.
Për marrëveshjen me Italinë, ai vuri në dukje: “Organizatat e të drejtave të njeriut dhe të tjera shprehën shqetësimin për ndikimin që mund të ketë kjo në të drejtat e njeriut të refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve, duke përfshirë ndalimin automatik dhe për këtë arsye arbitrar”.
Sir Keir u konfirmoi gazetarëve se ai do të diskutojë këtë çështje pasi një numër rekord i azilkërkuesve vazhdojnë të kalojnë Kanalin me varka të vogla.
Kryeministri tha: “Do të mund të flasim edhe për migrimin e parregullt, por edhe për gjëra të tjera”
Ai vuri në dukje se ka “sfida të ndryshme në vende të ndryshme”.
“Në Gjermani, isha veçanërisht i shqetësuar që një përqindje shumë të madhe të varkave që po përdoren për kalimin e Kanalit kalojnë përmes Gjermanisë. Dhe unë mendoj se ata duhet të shfrytëzojnë mundësi të tjera për t’i kapur në udhëtimin e tyre”, tha ai.
“Unë kam pasur tashmë një diskutim paraprak me Georgia Meloni për këtë, se si mund të punojmë së bashku për migrimin e parregullt. Ajo sigurisht ka disa ide të forta dhe shpresoj t’i diskutoj ato me të. Ajo dhe unë kemi diskutuar tashmë se si mund të përmirësojmë operacionet e përbashkëta, kështu që kjo është diçka që do të diskutojmë”, u shpreh kryeministri britanik.
Italia ka vendosur që në Shqipëri të ndërtojë kampe pritjeje për emigrantët e kapur në det, si përpjekje për të ndalur migracionin drejt Italisë. Marrëveshja Shqipëri-Itali parasheh që për pesë vjet në Shëngjin të zbarkojnë 36 mijë emigrantë. Rastet e tyre do të trajtohen në një qendër që po ndërtohet. Në këtë vend parashihet që të dërgohen vetëm emigratët që vijnë nga vende të cilat Italia i konsideron të sigurta. Pas trajtimit, nëse u miratohet azili, nga Shqipëria emigrantët dërgohen në Itali.