26.2 C
Pec
E diel, 22 Qershor, 2025

Studentët nuk janë vetëm konsumues të dijes – ata janë bashkëkrijues të së ardhmes!

Autori i këtij shkrimi prof.dr. Armand Krasniqi – është rektor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë

Pse programet e akredituara të Universitetit ‘Haxhi Zeka’ janë porta drejt profesioneve të Shekullit XXI

Në një kohë ndryshimesh të vrullshme ekonomike, teknologjike dhe shoqërore, universitetet nuk mund të kufizohen më vetëm në rolin e qendrave të dijes teorike. Ato duhet të shndërrohen në institucione dinamike, të ndërlidhura ngushtë me zhvillimin ekonomik, social dhe teknologjik të komunitetit dhe shoqërisë në tërësi. Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë (UHZ), i vetëdijshëm për këtë sfidë dhe përgjegjësi, ka ndërmarrë hapa konkretë në ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm dhe funksional të universitetit sipërmarrës, në përputhje me qasjen e heliksit të katërfishtë (quadruple helix), ku ndërthuren: mësimdhënia dhe mësimnxënia cilësore, kërkimi shkencor i orientuar nga nevojat reale dhe kontributi i drejtpërdrejtë në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik.

Kjo qasje moderne e zhvillimit universitar synon të tejkalojë ndarjen klasike midis teorisë dhe praktikës, duke e pozicionuar UHZ-në si aktor të rëndësishëm në ndërtimin e një ekonomie të bazuar në dije, kreativitet dhe inovacion. Si i tillë, universiteti nuk është më vetëm një prodhues diplomash, por një katalizator ndryshimi që fuqizon individin dhe komunitetin nëpërmjet ndërveprimit të vazhdueshëm me sektorin privat, qeverinë, shoqërinë civile dhe aktorët lokalë e rajonalë.

Në këtë kuadër, dy iniciativa të rëndësishme janë në prag të konkretizimit: Inkubatori i Biznesit dhe Qendra për Inovacione, të cilat do të funksionojnë në mënyrë integrale me njësitë akademike të universitetit dhe do të jenë laboratorë të gjallë për zhvillimin e ideve, testimin e zgjidhjeve inovative dhe mbështetjen e sipërmarrjeve të reja të studentëve dhe të rinjve të rajonit. Këto struktura do të ofrojnë mbështetje praktike për të gjithë ata që synojnë të transformojnë njohuritë në zgjidhje konkrete për tregun e punës dhe shoqërinë. Përmes tyre, Universiteti “Haxhi Zeka” do të përmbushë një nga misionet e tij më të rëndësishme: edukimin e një brezi të ri profesionistësh dhe inovatorësh që jo vetëm kërkojnë punë, por e krijojnë atë.

Ky model është ndërtuar duke marrë parasysh edhe realitetin ekonomik të Kosovës dhe rajonit të Dukagjinit, ku potenciali i rinisë dhe burimeve lokale mbetet ende i pashfrytëzuar në mënyrë të qëndrueshme. UHZ po investon jo vetëm në infrastrukturën fizike dhe teknologjike, por mbi të gjitha në zhvillimin e kapaciteteve akademike dhe të studentëve, duke i aftësuar ata për profesione që i paraprijnë kohës. Programet e akredituara të universitetit janë të konceptuara në mënyrë që të përgjigjen ndaj kërkesave të tregut të punës dhe tendencave globale, duke ruajtur njëkohësisht bazën e fortë akademike dhe shkencore që garantojnë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e dijes.

Ky transformim nuk është vetëm institucional, por edhe kulturor. Ai nënkupton një ndryshim paradigme në mënyrën se si konceptohet roli i universitetit në shoqëri: nga një institucion që pasivisht transmeton dije, në një aktor aktiv që gjeneron zgjidhje, që edukon qytetarë të angazhuar dhe që bashkëkrijon me komunitetin. Në këtë kontekst, studentët e ardhshëm nuk janë thjesht konsumues të dijes, por bashkëkrijues të së ardhmes. Ata do të kenë mundësi që gjatë studimeve të angazhohen në projekte të vërteta inovative, të bashkëpunojnë me ndërmarrje lokale dhe ndërkombëtare, të zhvillojnë ide të reja dhe t’i testojnë ato në një mjedis të mbrojtur por sfidues – brenda kampusit të tyre universitar.

Kjo është arsyeja pse ne e shohim çdo student të ardhshëm të Universitetit “Haxhi Zeka” jo vetëm si një individ që fiton diplomë, por si një profesionist të ardhshëm të përgatitur për ekonominë e së nesërmes. Duke zgjedhur programet e akredituara të UHZ-së, studentët bëjnë një zgjedhje strategjike për të qenë pjesë e një institucioni që nuk mbështetet vetëm në traditë dhe vlera, por që synon të jetë pararojë në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme, konkurruese dhe të drejtë.

Për më tepër, integrimi i parimeve të heliksit të katërfishtë garanton që çdo program dhe projekt në UHZ të jetë rezultat i bashkëpunimit ndërsektorial, ku studentët, mësimdhënësit, institucionet publike dhe sektori privat kontribuojnë në mënyrë reciproke në rritjen e kapaciteteve të shoqërisë. Ky integrim shfaqet konkretisht përmes qasjes ndërdisiplinore në mësimdhënie, projekteve kërkimore të orientuara drejt zhvillimit rajonal, si dhe përmes aktiviteteve që përfshijnë komunitetin lokal në mënyrë aktive dhe të qëndrueshme.

Prandaj, nëse jeni duke menduar për një të ardhme ku arsimimi është më shumë sesa një diplomë – një e ardhme ku do të jeni pjesë e zgjidhjeve, inovacioneve dhe ndryshimeve që shoqëria jonë ka aq shumë nevojë – atëherë Universiteti “Haxhi Zeka” është vendi ku duhet të filloni rrugëtimin tuaj akademik dhe profesional./Njeshi/

 

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...