Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se sulmet në veri të Kosovës gjatë ditëve të fundit, kanë për qëllim rikthimin e kohëve të mëparshme, e janë të orkestruara nga Serbia.
Tutje, përmes një reagimi në Facebook, Kusari-Lila thotë se Serbia ka dështuar, siç ka dështuar edhe më parë.
“Sulmi ndaj infrastrukturës vitale, i cili pasoi sulmet paraprake në veri të vendit gjatë dy ditëve të fundit, ka për qëllim të rikthejë gjendjen në kohët e mëparshme, duke sfiduar realitetin e ri të pakthyeshëm. Këto sulme janë të orientuara dhe kanë një adresë të qartë: Serbinë”, ka shkruar deputetja.
“Pas dështimit të plotë të planit të saj për veriun e Kosovës, ajo tani po realizon sulme diversante për të dëmtuar funksionet vitale të vendit dhe për të krijuar pasiguri. Siç ka ndodhur më herët, ato do të dështojnë sërish. Jo vetëm ata, por gjithashtu të gjithë ata që mendojnë se sulme të tilla do të dobësojnë shtetin dhe institucionet e Kosovës. Përcaktimi dhe përkushtimi i institucioneve të vendit për siguri, paqe, përparim, normalizim dhe integrim është më i fortë se kurrë më parë dhe çdo ditë po rritet. Nuk ka forcë që mund ta zmbraps këtë vullnet dhe këtë përcaktim; sulmuesit janë të destinuar të dështojnë”.
“Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë përfaqësuesit e forcave të rendit, sigurisë, ekipet emergjente në terren, dhe për të gjithë ata që janë angazhuar për sigurimin e furnizimit me ujë dhe energji elektrike. Po ashtu, falënderime të sinqerta për qytetarët e Kosovës, që me përkushtim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet po kontribuojnë për ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit në vend”. /Njeshi/