14 C
Pec
E shtunë, 15 Qershor, 2024

Supremja kthen në rigjykim rastin e të dënuarit me 8 muaj e tetë ditë burgim për dhunimin e 15-vjeçares

Gjykata Supreme e Kosovës ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj të akuzuarit P.K i ngarkuar me veprën penale “dhunim”e për të cilën vepër ishte dënuar nga Gjykata e Apelit me 2 vite burgim.

Vendimi i Supremes del të jetë marrë më 16 prill 2024 nga gjykatësit: Mejreme Memaj-kryetare, Agim Maliqi dhe Rasim Rasimi anëtarë raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht Gjykata e Qarkut në Pejë (atëkohë) të akuzuarin P.K e kishte dënuar me 2 vite burgim për veprën penale të dhunimit dënim të cilin Gjykata Apelit e kishte kthyer në rigjykim. Tutje, në procedurë të rigjykimit, Gjykata Themelore në Pejë me 15 korrik 2021 të akuzuarin P.K e dënon me 8 muaj e 8 ditë burgim dhe sërish Apeli me 6 korrik 2023 çështjen e kthen në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim sërish nga Apelit, Themelorja në Pejë tash të akuzuarin P.K e dënon me 5 vite e 6 muaj burgim për veprën e njëjtë penale, por tash Apelit ndryshon këtë aktgjykim dhe P.K e dënon me 2 vite burgim.

Mbi këtë aktgjykim të fundit të Apelit, mbrojtja e të akuzuarit P.K paraqet kërkesë për rishikim të procedurës penale Gjykatës Themelore në Pejë me pretendimin se në çështjen penale ndaj P.K janë paraqitur prova të reja.

Por kjo Gjykatë refuzon kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarit P.K për rishikim të procedurës me arsyetimin se rishikimi i procedurës penale mund të kërkohet vetëm në rastet kur kemi aktgjykim të formës së prerë e i cili sipas Themelores në Pejë nuk ekziston, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dhe del se ky vendim i Themelores në Pejë të jetë i aprovuar edhe nga ajo e Apelit me arsyetimin se vendimi është i drejtë dhe i ligjshëm andaj Supremja e kthen çështjen në rivendosje Apelit që të vlerësojë saktë kërkesën e mbrojtjes për rishikim të procedurës.

Por Apeli edhe në rivendosje sërish refuzon kërkesën e mbrojtjes për rishikim por se sipas Supremes nga një vendim i tillë i Apelit rezulton se nuk janë aplikuar udhëzimet se si të veprohet në rivendosje nga ana e Apelit.

Sipas Supremes në rastin konkret është paraqitur një situatë specifike pasi që bazë për rishikim të procedurës është shkalla e dytë dhe krejt kjo pasi qe sipas ankesës është paraqitur provë e re konkretisht nënshkrimi në ankesën e paraqitur nga pala e dëmtuar ishte i falsifikuar duke nënkuptuar se ankesa është paraqitur nga një person i paautorizuar.

Përmes ekspertizës së ekspertit S.G del se ankesa e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë ku P.K ishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim nuk është paraqitur nga ana e të dëmtuarës, pra nënshkrimi në ankesë nuk është i palës së dëmtuar.

Kësisoj sipas Supremes në rigjykim Apeli duhet të shqyrtojë lejueshmërinë e ankesës së paraqitur nga pala e dëmtuar ndaj aktgjykimit të Themelores në Pejë ku i akuzuari P.K ishte dënuar me burgim dhe kjo në raport me ekspertizën e ekspertit të grafologjisë S.G.

Lidhur me këtë, më 27 tetor 2021, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci kishte kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha që të ndërmarrë veprimet ligjore për të adresuar përgjegjësinë disiplinore lidhur me këtë rast.

Për këtë rast, edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj prokurores Lirije Morina.

Kurse, më pas Kurmehaj, pas vlerësimit të shkresave të lëndës, ka filluar inicimin e procedurës disiplinore ndaj prokurores për të mitur, Lirije Morina, përkitazi me rastin e dhunimit të 15 vjeçares.

Ndërsa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në mbledhjen e 270-të të mbajtur më 27 tetor 2021, me dyer të mbyllura, ka marrë vendim për suspendimin e gjykatëses së Gjykatës Themelore në Pejë, Florije Zatriqi, e cila shqiptoi tetë muaj e tetë ditë burgim ndaj P.K., për dhunimin e të miturës.

Këtë vendim e konfirmoi edhe Supremja, me vendimin e marrë më 6 dhjetor 2021, ku rezulton se është refuzuar ankesa e ushtruar nga gjykatësja Zatriqi, ndaj vendimit të KGJK-së për suspendim.

Por, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 28 prill 2022, ka nxjerrë vendim për degradimin dhe transferimin e përhershëm të gjyqtares Florije Zatriqi, në Departamentin e Përgjithshëm-Divizionin e Kundërvajtjes në kuadër të Gjykatës Themelore në Pejë.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, më 13 mars 2014 e kishte kthyer këtë rast në rigjykim, për shkak të mosarsyetimit të zbutjes së dënimit ndaj kryesve të veprës.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 26 mars 2012 nga Prokuroria Themelore në Pejë, i akuzuari P.K, ngarkohet se në ditë të pacaktuara të muajit janar 2021, në një shtëpi të pabanuar, së bashku me të miturit F.H dhe A.I, kanë kryer dhunimin e të miturës N.N, e moshës 15 vjeçare.

Sipas aktakuzës, pasi e mitura kishte dalë nga spitali, i pandehuri P. së bashku me të miturin A.I, përmes dhunës e nën kërcënimin e thikës nga i mituri A.I, e kishin dërguar në një shtëpi të pabanuar e pastaj i mituri A.I e kishte thirr të miturin F.H, i cili kishte shkuar në shtëpinë në fjalë dhe aty gjatë tërë natës i pandehuri dhe të miturit kishin kryer veprën penale të dhunimit ndaj të miturës, pastaj e mitura në orët e hershme të mëngjesit, kishte ikur nga shtëpia dhe kishte paraqitur rastin në polici.

Me këtë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale të “dhunimit”, nga neni 193, par.3 pika 5 lidhur me par.4 të KPP, për të cilin parashihet dënimi prej 5 vite deri në 20 vite burgim.

Lidhur me këtë aktakuzë, fillimisht Gjykata e Qarkut në Pejë më 6 nëntor 2012, e kishte dënuar të pandehurin P.K, me dënim në kohëzgjatje prej 1 viti, kurse ndaj të miturve kishte shqiptuar dënim me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej 1 viti.

Më pas, ky vendim ishte prishur nga Gjykata e Apelit më 13 mars 2014 dhe rastin e kishte kthyer në rivendosje në Gjykatën e Pejës.

Tutje, në rigjykim, pas veçimit të procedurës ndaj të pandehurit P.K, gjykatësja e çështjes, Florije Zatriqi, me kërkesën e mbrojtësit të akuzuarit, avokatit Idriz Daci kishte caktuar seancën e rishqyrtimit gjyqësor më 17 korrik 2021, në të cilin ishte prezent, i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, mirëpo nuk ishin prezent e dëmtuara, as përfaqësuesi për Mbrojtjen e Viktimave, Rauf Pozhegu, i cili mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Në këtë seancë të rigjykimit, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Lirije Morina, i akuzuari është deklaruar fajtor për akuzën që i vihet në barrë.

Për këtë pranim të fajësisë, gjykatësja e çështjes, të pandehurin e ka gjykuar me 8 muaj e 8 ditë burgim. Në arsyetimin e këtij dënimi, gjykatësja nuk kishte gjetur asnjë rrethanë rënduese, mirëpo vetëm rrethana lehtësuese.

“I akuzuari ka treguar sjellje korrekte gjatë shqyrtimit fillestar, e për më tepër e ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur keqardhje për veprën penale që e ka kryer. Tani ka krijuar lidhje jashtëmartesore dhe nga kjo lidhje ka një fëmijë vajzë 4 muajshe, se nga kryerja e veprës kanë kaluar gati 10 vite, si rrethanë lehtësuesi gjykata pati parasysh se në kohën e kryerjes, i akuzuari ka qenë madhor i moshës 21 vjet, e po ashtu karakteristikat personale të akuzuarit se në atë kohë, është shoqëruar me dëshmitarit F.H dhe A.I, të cilët kanë qenë të mitur dhe i ka pasur shokë, këto rrethana flasin për pjekurinë e tij psikike në kohën e kryerjes së veprës penale si dhe deklaratën e të dëmtuarës të dhënë në polici dhe në prokurori ku kishte deklaruar se në rastin e marrëdhënieve seksuale, nuk ka pasur lëndime”, thuhet në arsyetimin e gjykatëses Zatriqi./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...