Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se insistimi amerikan për heqjen e taksës duhet të shihet si shtyrje dhe jo kërcënim.
“Taksa është vendos si akt politik dhe duhet të hiqet apo suspendohet si akt politik dhe ky akt duhet të jetë pjesë e një ndryshimi dhe ky ndryshim nuk është ende këtu”, ka thënë ai.
Surroi më tej ka përsëritur se nuk do të bëhet pjesë e ekipit negociator. Ai ka thënë se mundohet të ndihmojë nga pozicioni ku është.
Cili është efekti i deritashëm i taksës, sipas Surroit!
Sipas publicistit Veton Surroi, taksa ndaj mallrave serbe ka dhënë një efekt praktik deri tash.
Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se me taksën Kosova ka tërhequr vëmendjen me një lloj integriteti.
“Kjo taksë e tillë si masë politike ka krijuar një efekt praktik. Efekti praktik është se ka tërhequr vëmendjen ndaj Kosovës, kështu çfarë është, e dobët e tjera, por me një lloj integriteti duke vendosur masat të cilat nuk janë shumë të popullarizuara jashtë. Prej momentit të vendosjes është e vërtetë që kemi pasur reagime, por ka pasur edhe një pozicionim të saktë të shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.
Surroi: Duhet vendosur në tavolinë të gjitha problemet e hapura mes Kosovës e Serbisë!
Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi ka thënë se Kosova ka nevojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe sipas tij kjo arrihet vetëm nëse hapen në tavolinë të gjitha problemet mes dy vendeve.
Sipas tij, problem i Serbisë dhe Kosovës nuk është as Leposaviqi e as Zubin Potoku.
“Kosova ka nevojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e cila sjell paqe dhe kjo arrihet nëse hapen të gjitha problemet në tavolinë. Problemi i hapur mes vendeve nuk është as Leposaviqi e as Zubin Potoku sepse Serbia nuk ka luftuar as për Leposaviqin e as për Zubin Potokun. Serbia nuk e konsideron si pjesë të mitit të vet Leposaviqin e Zubin Potokun. S’ka asgjë nga ajo aty. Duhet trajtuar çështjet si probleme reale dhe të gjendet një zgjidhje”, ka thënë ai.
Ai më pas ka thënë se Kosova duhet të krijojë identitetin e vet siç kanë bërë vende të tjera nga ish-Jugosllavia, por ka shtuar se kjo nuk është e mundshme sepse, sipas tij, “Kosova ka hyrë drejt e në shtet të kapur, ndërsa shtetet e tjera janë kujdesur që të krijojnë identitet të shtetësisë së tyre”.
Surroi: Nëse s’ka konsensus mes partive, vështirë se arrihet rezultati i duhur në dialog!
Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi ka thënë se pa u arritur një konsensus mes partive politike në Kosovë për dialogun me Serbinë, vështirë se do të arrihet rezultati i duhur.
Sipas tij, në vend ka dallime të dukshme në qëndrimet e partive për dialogun, por ka thënë se dallim ka edhe në qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.
“Ka dallime të dukshme. Është proces që s’ka pajtim transatlantik ende. Ka një lëvizje në kryeqytetet e QUINT-it që të arrihet dakordim i plotë e kjo do të marrë kohë. Ndoshta javë apo muaj. Por porosia themelore është që siç do të krijohet konsensus transatlantik të ketë konsensus edhe kosovar. Kemi disa rrafshe në vend, me presidentin që flet për territore e kryeministrin që ka marrë procesin me taksën, si dhe ekipin negociator që së shpejti do të aprovojë një ligj e në rrafshin e katërt LDK-në e VV-në që s’janë në ekip. Por nëse nuk arrihet konsensusi mes partive, Kosova do të ketë të vështirë të krijojë rezultatin e duhur në dialog”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.
Ai e ka quajtur hap inkurajues letrën e presidentit amerikan Donald Trump duke thënë se ai tregoi se cila duhet të jetë korniza e procesit negociator. /Njeshi&KTV/
]]>