30.9 C
Pec
E diel, 8 Shtator, 2024

Sveçla sërish për inspektime në Urën e Ibrit: Nuk është temë dialogu në Bruksel, kjo çështje është kryer më 2016

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka qëndruar sot sërish në Mitrovicë, ku bashkë me ministrin për Administrim të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se po inspektojnë Urën e Ibrit.

Sveçla i pyetur si i komenton deklaratat e QUINT-it dhe KFOR-it se çështja e hapjes së urës duhet të diskutohet në Bruksel, tha se kjo çështje është punë e kryer më 2016.

“Inspektimi është në dy faza, jemi në proces, po veprojmë sipas planit të cilin ne po e ndajmë me bashkëpunëtorët tanë dhe s’po shoh asgjë të jashtëzakonshme. Çështja është e mbyllur, qysh më 2016. Nuk është çështja e dialogut fare. Është çështje e të drejtës për t’u hapur dhe e një vendimi që është tashmë publik”, ka thënë Sveçla para mediave.

Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, po insiston se Ura e Ibrit në Mitrovicë, duhet të hapet. Por, për këtë nuk po gjen mbështetje te aleatët ndërkombëtarë, të cilët qartazi thanë se nuk e përkrahin ndryshimin e statusit të kësaj ure.

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar  se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ndërkaq, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier,  tha javën e kaluar se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

Bashkimi Evropian ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

Kjo është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi të enjten se “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...