Pas dështimit të seancës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka adresuar kritika të ashpra ndaj opozitës, duke e akuzuar atë për bllokimin e procesit.
Në një deklaratë të shkurtër për media, derisa po largohej nga Kuvendi, Sveçla u shpreh se opozita nuk do të ketë mundësi tjetër veçse të dorëzohet.
“Vonim ka, s’kanë shpëtim. S’kanë qare pa u dorëzu”, tha Sveçla.
Pavarësisht qëndrimit të ashpër ndaj opozitës, partia e tij nuk i kishte votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në pozitën e kryetares së Kuvendit.
Në dy votime të mbajtura, Haxhiu mori vetëm nga 57 vota, katër më pak se minimumi i kërkuar prej 61.
Sveçla bëri të ditur gjithashtu se do të ri-propozohet emri i Albulena Haxhiut për këtë pozitë, duke treguar se LVV nuk ka ndërmend të ndryshojë kandidatën. /Njeshi/