Shefi i GP-së së Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti i ka sjellë Kosovës në tavolinë një marrëveshje të dëmshme. Në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se tashmë po hapet një proces i ri i dialogut.
“Vetë institucionet e Kosovës në një formë po e kontestojnë shtetësinë tonë. Neni 7 po e etablon atë që do të ndërtohet e që ka me qenë autonomia e serbëve. Nuk është Asociacioni më çështje, është neni 7, është autonomia që ne e marrim si obligim ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Tahiri më tej ka thënë se nuk është e pranueshme që deputetët e pushteti të propozojnë komision hetimor për dhunën ndaj gruas, derisa ka institucione që duhet të merren me këtë punë.
“Të propozojë mazhoranca komision hetimor për dhunën ndaj gruas është e tmerrshme. Kjo tregon se kjo qeverisje tash e dy vite ka pësuar dhe ka dështuar në shumë hallka. Si të themelohet komision hetimor kur e ke MD-në, MPB-në, policinë, e ke emëruar drejtorin e AKI-së. Ky pushtet ka dështuar në shumë hallka, në shumë procese. Për ne është i mirëseardhur themelimi i këtij komisioni. Ky nuk ka si të shkojë ndryshe veç me dorëheqjen e dy ministrave”, ka thënë ai. /Njeshi/