Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi se regjistroi 35 aeroplanë ushtarakë kinezë, përfshirë aeroplanë bombardues dhe luftarakë, mbi pjesën jugore të ishullit ndërkohë që ishin nisur drejt stërvitjeve në Paqësor.
Ministria njoftoi për këtë zhvillim të dielën, dita e dytë radhazi që u raportua një aktivitet i tillë.
Kina, e cila e konsideron Tajvanin që qeveriset nga një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike, si territor të saj, megjithë kundërshtimin e fuqishëm të autoriteteve në Taipei, rregullisht dërgon ushtrinë e saj në qiejt dhe ujërat afër ishullit, në përpjekje për të konfirmuar pretendimet e sovranitetit të saj mbi të.
Ministria kineze e Mbrojtjes nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar mbi këtë mision, për të cilin u njoftua vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale amerikane.
Shtetet e Bashkuara janë të detyruara me ligj t’i japin Tajvanit mjetet për t’u vetëmbrojtur dhe shitja e armëve amerikane Taipeit, përfshirë një sistem të mbrojtjes ajrore me vlerë prej 2 miliardë dollarësh i cili u shpall muajin e kaluar, ka zemëruar Pekinin.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se që nga ora 9 e mëngjesit të së dielës kishte parë 37 aeroplanë ushtarakë kinezë, përfshirë aeroplanë J-16, bombardues H-6 që mund të transportojnë bomba bërthamore dhe dronë.
Nga këta, 35 aeroplanë ushtarakë fluturuan mbi pjesën jugperëndimore, jugore dhe juglindore të Tajvanit drejt pjesës perëndimore të Paqësorit për të marrë pjesë në stërvitje, sipas ministrisë, duke shtuar se forcat e saj po vëzhgojnë lëvizjet.
Të shtunën, ministria tajvaneze tha se Kina kishte bërë edhe një “patrullë gatishmërie të përbashkët luftarake” me anije dhe aeroplanë luftarakë pranë Tajvanit.
Muajin e kaluar Kina zhvilloi manovra të gjëra ushtarake përreth Tajvanit, për të cilat tha se ishin një paralajmërim ndaj “veprimeve separatiste”. Tajvani dhe qeveria amerikane i dënuan ato.
Pekini e ka kritikuar ashpër Presidentin aktual të Tajvanit, Lai Ching-te, i cili mori detyrën në maj, duke e quajtur atë “separatist”. Ai thotë se vetëm populli i Tajvanit mund të vendosë për të ardhmen e tij dhe vazhdimisht ka bërë thirrje për bisedime me Pekinin, por ofertat janë hedhur poshtë nga Kina. /Njeshi/