5 C
Pec
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Takimet e Osmanit në Budapest, në fokus siguria, heqja e masave ndaj Kosovës dhe procesi i anëtarësimit në KiE

Në samitin e Komunitetit Politik Evropian, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pasur takime me liderë nga shtete të ndryshme. Në këto takime, Osmani ka potencuar rëndësinë e heqjes së masave për Kosovën dhe po ashtu edhe rëndësinë e përfundimit me sukses të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këto Osmani e ka thënë edhe në një takim që kishte sot me kryeministrin e Belgjikës.

“Pata kënaqësinë të takoj Kryeministrin@alexanderdecroo, duke shprehur mirënjohjen time për mbështetjen e palëkundur të Belgjikës për Kosovën.

Theksova gjithashtu rëndësinë e përfundimit me sukses të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe heqjes së masave për Kosovën si një hap i domosdoshëm përpara në rrugën tonë evropiane”, ka shkruar Osmani.

Heqjen e masave ndaj Kosovës, presidentja Osmani e ka diskutuar edhe në takim me kryeministrin e Luksemburgut.

“Kosova dhe Luksemburgu ndajnë përkushtimin e përbashkët për t`i forcuar marrëdhëniet dhe për t`i hapur kapitujt e rinj të bashkëpunimit. Në takim me kryeministrin Luc Frieden, theksova nevojën e mbështetjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës, heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në BE, bazuar në merita”, ka shkruar Osmani.

Paraprakisht sot, Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest.

Osmani ka publikuar një foto nga takimi, derisa ka bërë me dije se kanë diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe rolin e kontributin e KFOR-it për paqe e siguri në Kosovë.

“Diskutime të vazhdueshme me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe rolin e kontributin e KFOR-it për paqe e siguri në vendin tone”, ka shkruar Osmani.

Osmani  në dy ditët e fundit, takua me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin francez, Emanuel Macron, atë të Turqisë, Recep Tayip Erdogan, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidentin e Ukrainës Volodymir Zelenskiy e shumë personalitete tjera të Evropës.

Takimi i Komunitetit Politik Evropian ka mbledhur liderë nga 47 shtete nga i gjithë kontinenti, në Budapest.

E para e shtetit të enjten para nisjes së samitit është deklaruar për media.

Ajo e pyetur për fitoren e Donald Trumpit, tha se beson fuqishëm që do të vazhdojë bashkëpunimi ndërmjet Evropës dhe SHBA-së edhe nën administratën e presidentit Trump.

E para e shtetit të Kosovës është pyetur edhe lidhur me raportet Kosovë-SHBA, pas zgjedhjes së Trumpit president.

“Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të SHBA-së që në fillimet e viteve ’90. Jemi bekuar me atë mbështetje dhe për këtë kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën të presidentit Trump”, u shpreh presidentja.

Ajo tutje shtoi se nuk e sheh si kërcënim për Kosovën zgjedhjen e Trumpit president pasi Kosova gjithnjë ka pasur mbështetje si nga republikanët, po ashtu edhe demokratët.

“Nuk e shoh si kërcënim. Kosova, në fakt, ka përfituar për dekada nga një mbështetje dypartiake nga Shtetet e Bashkuara. Ne u bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet. Ne u bëmë të lirë kur demokratët ishin në pushtet… Ne kemi punuar shumë ngushtë me çdo administratë dhe besoj fuqimisht se do të vazhdojë të jetë kështu”, tha ajo/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...