Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është duke qëndruar për vizitë në Washington D.C. për takime në Senat e në Dhomën e Përfaqësuesve. Osmani që nga dita e djeshme ka zhvilluar një sërë takimesh me kongresmenë e senatorë të ndryshëm.
Në këto takime, Osmani ka thënë se në fokus të diskutimeve kanë qenë sfidat e sigurisë dhe rëndësia e bashkëpunimit drejt ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajonin tonë.
Po ashtu në fokus të takimeve ka qenë edhe rëndësia e mbështetjes amerikane në shumë sektorë të vendit. E para e shtetit ka thënë se Kosova dhe SHBA-të, kanë hapësirë e mundësi të shumta për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, andaj kjo edhe është një nga objektivat kryesor në rrugëtimin përpara.
E para e vendit, duke filluar nga dje është takuar me Senatoren republikane Joni Ernst, por edhe me disa kongresistë republikan, si Pete Sessions e Gary Palmer.
Përmes një postimi në Facebook, presidentja tha se me Ernst-in kanë diskutuar rëndësinë strategjike të koordinimit me qëllim të mbrojtjes e avancimit të interesave të përbashkëta strategjike.
“Siguria e paqja e qëndrueshme i shërbejnë edhe bashkëpunimit të shtuar ekonomik, si dhe atij në fusha të tjera të interesit të ndërsjellë, andaj mbetemi të përkushtuar për koordinim e komunikim të ngushtë në këtë drejtim”, shtoi Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë një aleat jetik për vendin që ajo udhëheqë.
Këto komente, Osmani i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas takimit që ka pasur sot me senatorin republikan, Ted Cruz, në SHBA, në kuadër të vizitës së saj atje.
Forcimi i partneritetit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, adresimi i sfidave të përbashkëta dhe shkëmbimi i ideve për bashkëpunim në fusha të interesit të dyanshëm, Osmani ka theksuar se ishin në fokus të takimit me Senatorin Cruz.
“Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat jetik për Kosovën dhe jemi mirënjohës për mbështetjen dhe përkushtimin e Senatorit Cruz ndaj vlerave dhe vizionit tonë të përbashkët”, potencoi e para vendit.
Në vazhdën e takimeve në SHBA, presidentja Vjosa Osmani zhvilloi bisedë edhe me kongresistin republikan, Mike Lawler. Bashkë sipas njoftimit, diskutuan për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.
“Pas një bisedë në New York disa muaj më parë, me Kongresistin republikan Mike Lawler u takuam këtë herë në Washington, D.C., për të parë mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.
E përgëzova për rizgjedhjen e tij dhe shpreha mirënjohje për përkushtimin dhe mbështetjen e tij në avancimin e synimeve tona strategjike të përbashkëta”, ka shkruar e para e vendit në Facebook.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Washington D.C, është takuar me kongresistin republikan, Keith Self, me të cilin ka biseduar për sigurinë. Ajo tha se Kosova historikisht ka arritur suksese të mëdha falë mbështetjes dhe miqësisë së fortë që ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një njoftimi për medie nga zyra e Presidencës, bëhet e ditur se biseda me kongresistin republikan, Keith Self, ishte një vazhdimësi e bisedës në Teksas muaj më parë.
“Kosova historikisht ka arritur suksese të mëdha falë mbështetjes dhe miqësisë së fortë që ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe gjithnjë edhe më të afërt, mund të hapim shumë kapituj të rinj në dobi të të dyja vendeve”, thuhet në njoftim.
Osmani më pas do të vazhdojë për Rhode Island ku do të mbajë fjalimin kryesor në Simpoziumin e 11-të vjetor të ‘United States Naval War College’./Njeshi/