27.8 C
Pec
E enjte, 25 Korrik, 2024

“Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më”, politika shqiptare i jepë lamtumirën shkrimtarit të madh Ismail Kadare

Politika shqiptare i ka dhënë lamtumirën shkrimtarit të madh Ismali Kadare, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, 1 korrik 2024.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

Ai ka shkruar se shqiptarët sot humbën emancipuesin e tyre shpirtëror.

“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu dhe shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën ia kushtoi dashurisë ndaj tokës.

“Në historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh i kanë dhënë kahun kombeve në çastet më të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë. Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet.”

Kreu i qeverisë Edi Rama e quan shrkimtarin Kadare monument të kulturës shqiptare, i cili tanimë është ngjitur në piedestalin e përjetësisë.

Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të këtij mesazhi të publikuar për ditëlindjen e tij.

“Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit”, ka shkruar Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për shkrimtarin Ismail Kadare pasi ai vdiq mëngjesin e sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Kurti ka thënë se bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë.

Ai ka shtuar se sytë tanë do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Kadaresë.

Kurti në fund tha se anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë.

“Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë. Ngushëllime të gjithëve.” /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...