Drejtues të institucioneve të drejtësisë kanë trajtuar aspekti i krijimit të hapësirave psikiatrike për të gjykuarit në masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionet shëndetësore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me zëvendësministrin Blerim Sallahu dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë takuar kryesuesin e KGjK, Albert Zogaj, kryeuesin e KPK, Jetish Maloku, dhe përfaqësues të tjerë nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, për të diskutuar për ofrimin e një zgjidhje të pranueshme për trajtimin dhe vendosjen e perdonave ndaj të cilëve gjykata ka shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në Institucionet Shëndetësore.
Sipas një njoftimi të MD-së, bazuar në faktin se Gjykatat Kompetente në raste të caktuara lëshojnë urdhëresë për trajtim të detyrueshëm psikiatrik ndaj të burgosurve me probleme të shëndetit mendor dhe në mungesë të kapaciteteve në objektet përkatëse shëndetësore, Ministria e Drejtësisë në kornizën afatmesme buxhetore ka planifikuar zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese, por deri në finalizimin e projektit kërkohet zgjidhje urgjente.
“Gjatë takimit me përfaqësues të institucioneve përkatëse u propozua që të sigurohen hapësira të veçanta brenda Repartit të Psikiatrisë në QKUK deri në zgjidhjen e përhershme të problemit. Ministrat Haxhiu dhe Vitia, shprehën përkushtimin për të ofruar përkrahjen e tyre në realizimin e projektit për zgjidhjen e problemit, gjegjësisht krijimin e hapësirave të mjaftueshme për personat ndaj të cilëve shqiptohet masë e tillë nga gjykatat kompetente”, thuhet në njoftim./Njeshi/