27.1 C
Pec
E martë, 23 Korrik, 2024

Të suspenduar, por me rrogë: 144 policë u paguan në kundërshtim me ligjin, dallavere edhe me grada

144 policë të Kosovës janë kompensuar me përqindje të caktuar të pagës si të suspenduar, në kundërshtim me afatet ligjore. Kjo është një nga të gjeturat kryesore të Auditorit për Ministrinë e Brendshme, konkretisht në Policinë e Kosovës.

Për ta thjeshtëzuar, nëse një polic ka qenë i suspenduar me 50% të pagës për 6 muaj, Auditori ka evidentuar raste kur pagesa për këtë zyrtar ka vazhduar edhe pas gjashtë muajsh, pasi nuk ishte marrë ndonjë vendim.

Raste të tilla janë evidentuar plotë 144, raporton gazeta Nacionale.

“Neni 78, paragrafi 2 i Udhëzimit Administrativ 02/2023 mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës, përcakton që: ‘Suspendimi nga puna mund të zgjasë më së shumti 6 muaj. Pas kësaj periudhe punëdhënësi është i obliguar që të punësuarin ta kthej në punë ose t’ia shkëpusë kontratën e punës. Gjatë kësaj periudhe kohore të punësuarit i takon kompensimi në pagë në lartësi prej 50% të pagës’”, thuhet në raport.

“Numri i zyrtarëve të suspenduar, të cilët vazhdojnë të kompensohen përtej periudhës së lejuar me dispozitat në fuqi, sipas konfirmimeve të zyrtarëve përkatës, deri në fund të vitit 2023 ishte 144. Kjo është verifikuar me rastin e suspendimit të përkohshëm të zyrtarit policor, bazuar në vendimin e datës 17.03.2022, i cili ishte kompensuar me pagë me lartësi prej 50 % përtej tejkalimit të periudhës së lejuar prej 6 muajve. Për më tej, janë verifikuar edhe nëntë (9) raste tjera nga lista e pagave krahasuar me listën e të suspenduarve”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori ka gjetur se në shumicën e rasteve, kjo situatë kishte ndodhur pasi Inspektorati Policor i Kosovës nuk kishte dale me ndonjë vendim për rastet konkrete.

“Kjo kishte ndodhur pasi që Policia e Kosovës ende nuk kishte pranuar rekomandimin për ndërprerje të suspendimit të përkohshëm nga Inspektorati Policor i Kosovës. Për më shumë, nuk ishin marrë masa për zbatimin e kërkesave ligjore lidhur me raste të tilla”, thuhet më tutje në raport.

Një tjetër gjetje e evidentuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, është edhe transferimi i policëve në grada të ndryshme. Auditori ka gjetur se janë 185 raste kur policët mbajnë pozita ku kërkohet grade më e lartë, se ajo që ata aktualisht e kanë.

“Një numër i stafit policor vazhdon të jetë i sistemuar në pozita të punës pa e plotësuar kriterin e gradës që e kërkon ajo pozitë sipas strukturës organizative. Sipas të dhënave nga njësia e personelit, 185 zyrtar policor vazhdojnë të mbeten të sistemuar në pozita ku kërkohet gradë më e lartë se sa grada që aktualisht e kishin arritur të punësuarit përmes procesit të rregullt të gradimit. Në raport me vitin paraprak numri i zyrtarëve është rritur nga 133 në 185”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka treguar edhe arsyen pse ka ndodhur një gjë e tillë.

“Policia e Kosovës, në vitin 2024 kishte filluar me procesin e gradimit për pozitën rreshter, vonesat e të cilit ishin ndikuar nga struktura organizative e policisë e cila ka qenë në plotësim-ndryshim dhe situata e krijuar në vend”, thuhet më tutje.

Kurse, Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të përballet me problemin e njëjtë sikur e kanë krejt ministritë. Kjo ndërlidhur me punëtorët serbë që nuk dalin në punë.

“Bazuar në vendimin e Qeverisë Nr.06/39 i dt. 22.07.2015, ish MAP, ishte e obliguar t’i sistemoj 20 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës. Këta punonjës nuk kishin punuar asnjëherë për ministrinë që nga nënshkrimi i akt emërimeve të tyre. Rrjedhimisht, sipas konfirmimeve nga zyrtarët relevant, për të njëjtit nuk kishte dëshmi të vijueshmërisë në punë. Vlera e pagesave të realizuara për këta punonjës për vitin 2023 ishte 108,794€”, thuhet në raportin e auditorit.

“Kjo dukuri vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve”, thekson Auditori.

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...