Katër shfaqje të Kosovës janë bërë pjesë e kalendarit artistik të Teatrit Kombëtar shqiptar gjatë këtij muaji.
Trupa të tërë artistësh kanë mbërritur në “Arturbina” për të dhënë, por edhe për të ndjekur shfaqjet teatrale, ngjarje artistike që kanë bërë bashkë edhe ministrat e kulturës nga të dyja vendet.
Ndonëse javët ndërkombëtare të kulturës na bëjnë më shumë se kurrë bashkë gjatë nëntorit, edhe për shkak të festave, Kosova dhe Shqipëria kanë vendosur të mos presin aq gjatë për t’u takuar artistikisht.
Artistë të shumtë nga Kosova kanë mbërritur në Tiranë për të performuar.
Shfaqja “Fausti” me autor dhe regjisor Fadil Hysaj, por njëkohësisht me motive nga “Fausti” i njohur i Gëtes dhe i Marlosë, ka qenë shfaqja që ka bërë bashkë edhe dy ministrat e kulturës, që më herët kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për shkëmbime të tilla artistike.
Ky shkëmbim artistik mes dy teatrove nisi me 8 mars me shfaqjen “Gratë”, një ditë e shënuar për gjithë vajzat dhe gratë në botë, për të vijuar deri mbrëmjen e 11 marsit me “Club Albania” me regji të Fatos Berishës që është shfaqja e katërt që artistët e teatrit të Kosovës performojnë në Tiranë. /Njeshi/