Ish-Ministri i Energjisë dhe Minierave dhe ministër në disa Qeveri të Kosovës Prof. Dr, Et’hem Çeku ka reaguar për krizën energjetike që ka kapluar Kosovën.
Et’hem Çeku, që njihet edhe si themelues i Ministrisë së Energjisë dhe Minierave me të cilën ka menaxhuar në kohërat më të rënda të mungesës së furnizimit në Kosovë, (vitet 2003 – 2006), thotë se Kosova ka nevojë për një vizion të qartë, me një strategji të qartë dhe afatgjatë që përfshin investime të reja, qoftë edhe nga investimet e drejtpërdrejta nga buxheti për ta rritur sigurinë e furnizimit mbi burimet vendore.
Çeku e quan gabim të pafalshëm mos ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova C”, ndonëse do të kishin kontribuar në zëvendësimin e kapaciteteve të vjetra dhe uljen e ndotjes së mjedisit dhe do të ofronte siguri në furnizim, stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik për vendin.
Et’hem Çeku njihet si një nga ministrat më të fuqishëm të qeverisjeve LDK – AAK dhe LDK-PDK-AAK, i caktuar dhe emëruar nga Ramush Haradinaj në periudhat e rënda për Kosovën e pasluftës, si një nga militantët partiak dhe të UÇK-së nga rajoni i dukagjinit, që po vinte në Prishtinë në kohën e reformave të rëndësishme që çonin drejt statusit final të Kosovës.
Si ministër, përcolli kryeministrat Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi, Agim Çeku e Bajram Rexhepi.
Reagimi i plotë:
Duke marrë si shkas nga leximi i raportit të publikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (International Energy Agency – IEA), që parashikon një kërkesë rekorde globale për qymyr për të tretin vit rresht, me kulmin e përdorimit që pritet më 2027, si dhe duke vërejtur problemet aktuale me furnizimin me energji elektrike në Kosovë, është e pashmangshme të shtrohet pyetja: ku ndodhemi me politikat zhvillimore energjetike, çfarë po ndodh me linjitin, të vetmin burim të fuqishëm energjetik që e kemi në vendin tonë?
Përsëritja e përvitshme e reduktimeve gjatë stinës së dimrit, dhe viteve të fundit herë pas here edhe në ditët e nxehta te verës, po reflekton mungesën e një vizioni dhe investimeve strategjike në sektorin energjetik në siguri të furnizimit. Kjo po e bën sektorin shumë të brishtë duke e ekspozuar nga importi i energjisë me çmimeve shume të larta të importit, të cilat kanë ndikuar në dyfishim te tarifave, qe bien mbi supet e konsumatorëve dhe biznese te vendit tone.
Kësaj radhe nuk po ndalem për gabimin e pafalshëm rreth projektet madhore, si ndërtimi i termocentralit të ri “Kosova C”, ndonëse do të kishin kontribuar në zëvendësimin e kapaciteteve të vjetra dhe uljen e ndotjes së mjedisit dhe do të ofronte siguri në furnizim, stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik për vendin. Për më tepër, kësaj radhe ku jemi me riparimet dhe remontet e “thella” në njësitë ekzistuese – të rekomanduara edhe të financuara pjesërisht nga BE-ja – kanë mbetur të parealizuara.
Kosova ka nevojë për një vizion të qartë, me një strategji të qartë dhe afatgjatë që përfshin investime të reja, qoftë edhe nga investimet e drejtpërdrejta nga buxheti për ta rritur sigurinë e furnizimit mbi burimet vendore, në rindërtim të njësive ekzistuese deri në ndërtim të kapaciteteve të nevojshme që do t’i shmangin importet energjisë dhe përmes investimeve publiko-private, aty ku investitorët privatë kanë interes në kapacitetet ekzistuese dhe promovimin e burimeve të rinovueshme për të siguruar stabilitetin energjetik dhe zhvillimin ekonomik.
Fatkeqësisht, këtë nuk jemi duke e parë ende!’-shruan Çeku.Njeshi&RADIO 1/