Kuvendi i Kosovës nesër pritet të mbajë një seancë të veçantë, ku pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë situata në veri të vendit.
Media ka siguruar ftesën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës dërguar deputeteve për mbajtjen e kësaj seance, ku pritet të zhvillohet debat parlamentar për situatën në veri të Kosovës pas protestave të dhunshme në tri komunat në veri.
Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së Kuvendit, grupet parlametnare opozitare kërkuan që sa më shpejt Kuvendi të mblidhet, duke kërkuar që në këtë seancë i pranishëm të jetë edhe kryeministri Kurti dhe të raportojë mbi situatën dhe qëndrimet e tij.
Kujtojmë se protestat në tri komuna në veri të vendit filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.
Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”.
Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë perëndimor thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.
Kryeministri Kurti, i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë./Njeshi&BD/