Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Sekretarit Organizativ të LVV-së, Alim Rama, për bojkotimin e produkteve të kompanisë “Devolli”.
Ai e ka cilësuar këtë thirrje si të papranueshme dhe të dëmshme për ekonominë vendore.
“S’di çka i paska gjet… dikur thërrisnin për bojkot të produkteve serbe, e tash le të na bëjnë thirrje për me ble produkte serbe! Paskan ndërruar qëndrim, kjo është e pakuptimtë”, tha Haradinaj në Klan Kosova.
Ai shtoi se kush bën thirrje për bojkot të produkteve vendore, nuk ia do të mirën këtij vendi.
“Së pari, ai nuk është patriot. Së dyti, nuk ia do të mirën këtij shteti. E së treti, nuk e do as veten, sepse as nuk e di çka është ka lyp”, u shpreh Haradinaj.
Gjithashtu për deklaraten e sekretarit organizativ të LVV-së, Alim Rama, lidhur me bojkotin e produkteve vendore nga Kompania Devolli ka shkaktuar reagime nga politikanë e aktivistë.
Gani Durmishi nga Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës e ka cilësuar këtë qëndrim si një befasi të keqe nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e parë si një lëkundje të mbështetjes për prodhuesit vendorë.
“Është një befasi nga LVV-ja dhe është e keqe”, tha Durmishi, në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova.
Ai shtoi se një veprim i tillë dëmton drejtpërdrejt ekonominë vendore./Njeshi/