Në Tiranë pritet të përurohet nesër Xhamia e Namazgjasë me praninë e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit Edi Rama. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet në ceremoni nga Myftiu i Tiranës.
Ish-kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, thotë për Zërin e Amerikës se në çështjen e Xhamisë së Namazgjasë ka ndodhur një ndërhyrje e egër politike nga faktorë të jashtëm. Ai kritikoi mungesën e kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar në përurimin e Xhamisë së Namazgjasë.
Nga ana tjetër, nënkryetari i KMSH-së, Taulant Bica, thotë për Zërin e Amerikës, se përurimi i Xhamisë është më i rëndësishëm se prania e titullarëve sipas rangut.
Ish-kryetari Bruçaj thotë se Xhamia e Namazgjasë nuk është ndërtuar me fonde publike të shtetit turk, por është ndërtuar me kontributet vullnetare të besimtarëve myslimanë turq.
“KMSH kishte mundësi atëherë që ta ndërtonte xhaminë edhe me donatorë të tjerë nga shtete të tjerë, por u zgjodh Turqia duke ditur se në vite janë mbledhur të ardhura nga myslimanët turq për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë dhe për shkak të një protokolli me Turqinë nënshkruar nga ish kryetari i ndjerë Haxhi Selim Muça dhe pastaj nga unë, Skënder Bruçaj, mbi një kontratë me Dianet, Komunitetin Mysliman të Turqisë”, tha ai.
KMSH bëri të ditur se në ceremoninë e përurimit të Xhamisë së Namasgjasë “Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej”.
Por në komentet për Zërin e Amerikës, ish-kryetari i KMSH-së Skënder Bruçaj kritikoi mospraninë e kryetarit të KMSH-së, Bujar Spahiu, në këtë ceremoni krahas presidentit turk Erdogan dhe kryeministrit shqiptar Rama.
“Në hapjen e Xhamisë së Namazgjasë mospraninë e kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë unë e shoh si një akt të shëmtuar, por duke qenë se procedurat ose organizimin e ceremonisë ditën e nesërme unë e shoh si një organizim politik, atëherë më mirë që ai nuk është aty”, tha Bruçaj.
Ndërsa nënkryetari i KMSH-së Taulant Bica thotë për Zërin e Amerikës se zakonisht KMSH përfaqësohet nga kryetari, por në raste ngjarjesh të tilla, sipas situatës gjykon që të përfaqësohet edhe nga titullarë të tjerë, e nesër ka zgjedhur të përfaqësohet me Myftiun e Tiranës.
“E rëndësishme është për ne që të inaugurohet kjo xhami dhe është dytësore pastaj pjesa tjetër që pse nuk është titullari numër 1, është dyshi, apo treshi. Pak rëndësi ka kjo. Rëndësi ka që ne kemi treguar vullnetin tonë që kjo xhami t’i fitohet besimtarëve sa më shpejt të jetë e mundur dhe pjesa tjetër pastaj është diçka formale dhe diçka që në bisedimet që kemi patur është arritur në këtë konkluzion”, tha Bica.
Nga ana tjetër, ish-kryetari i KMSH-së, Skënder Bruçaj kujton se ai mori pjesë dikur në ceremoninë e nisjes së ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë vite më parë, dhe e quan absurd që tani as ai nuk ka ftesë për ceremoninë e përurimit, ndërsa sot KMSH-ja përfaqësohet me Myftiun e Tiranës, pas 7 vitesh, kur kjo ndërtesë është gati.
Më shumë se sa një organizim fetar e shpirtëror ai e sheh ceremoninë e nesërme si një organizim politik për shkak të përfshirjes së aktorëve politikë në këtë çështje.
“Objekti i kultit është një objekt shpirtëror. Kur aty futen qëllime politike, kur futen qasje të tjera, atëherë ai e humb thelbin e ekzistencës si objekt kulti. Më vjen shumë keq tani që shoh një ndërhyrje të egër të politikës, mbi të gjitha edhe të faktorëve të jashtëm, në një çështje shumë të brendshme e të natyrshme, që i përket KMSH-së dhe besimtarëve myslimanë të Shqipërisë”, tha Bruçaj.
Një tjetër temë e ndjeshme në lidhje me Xhaminë e Namazgjasë është edhe administrimi i saj përmes një fondacioni, ku drejtues do të jetë Myftiu i Tiranës ndërsa anëtarë bordi do të jenë nga pala ndërtuese, shtetas turq, dhe nga pala shqiptare.
Nënkryetari i KMSH-së Bica thotë se Komuniteti në Shqipëri ka edhe përvoja të tjera të ngjashme bashkëpunimi, ku donatori kërkon që të marrë pjesë edhe në menaxhimin e mëtejshëm përmes fondacioneve, siç është rasti i Universitetit Bedër dhe disa medreseve, dhe është një bashkëpunim i mirëpritur.
“Duke qenë se Xhamia e Namazgjasë është shumë e madhe, më e madhja në Ballkan, (me afro 5 mijë vende brenda dhe po aq jashtë), dhe ka shumë seksione dhe veprimtari brenda saj, qendër kulturore, salla konferencash etj., do të ketë nevojë për shumë punonjës dhe menaxhim, Komuniteti Mysliman, ashtu si ka zgjedhur të bashkëpunojë me fondacione të ndryshme për rastet konkrete me Universitetin dhe medresetë, edhe në këtë rast ka menduar që të themelohet një fondacion dhe të bashkëmenaxhohet ky organizim. Nuk është diçka e re, por një praktikë e njohur”, tha Bica.
Por Bruçaj thekson se vite më parë u ra dakord që pasi të ndërtohej Xhamia e Namazgjasë çelësat e Xhamisë do t’i dorëzoheshin KMSH-së. Ai shtoi se donatori zakonisht ndihmon që të ndërtohet objekti i kultit, por nuk përfshihet as në menaxhimin e xhamisë, as si të bëhet pjesë e drejtimit të saj.
“Fakti që Xhamia nuk do të jetë mesa duket 100 për qind nën autoritetin e KMSH-së, bën të lindin dyshime mbi menaxhimin e saj. Është për t’u shqetësuar edhe fakti që një faktor i huaj, një fuqi shtetërore, nuk ka rëndësi se kush është, të bëhet pjesë e Xhamisë më të madhe që historikisht ka patur Shqipëria”, tha Bruçaj.
Ai theksoi se kjo është një ndërhyrje edhe sa i takon të drejtave kushtetuese, që lidhen me laicitetin e shtetit. Sipas tij, qysh nga themelimi i KMSH-së 100 vjet më parë, që dikush të jetë një imam legjitim në një nga xhamitë e Shqipërisë duhet të jetë shtetas shqiptar me një emërim nga kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku kryetari është një person i zgjedhur, jo si kryetari i Komunitetit Mysliman të Turqisë, i cili emërohet nga shteti turk; çka janë shumë ndryshe.
“Flitet për një fondacion, por ende nuk ka asgjë në dritë: nuk dihet se kush janë anëtarët e fondacionit, çfarë të drejtash do të ketë fondacioni, ky fondacion a ka gjasa t’i bëjë karshillëk KMSH-së dhe të krijojë një komunitet paralel, mënyra se si do të komunikojë me institucionet e tjera? Kjo e ndërlikon çështjen dhe e humb thelbin e objektit të kultit si duhet të jetë një xhami, ku besimtarët të gjejnë qetësi shpirtërore dhe të falen”, tha Bruçaj.
Përmendja e organizatës Feto në komunikimet mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Turqisë duket se përdoret, sipas Bruçajt, për të sjellë përçarje në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, përmes etiketimeve negative të një grupi, duke synuar marrjen në kontroll të situatave.
“Gjithë punonjësit e KMSH-së janë shtetas shqiptarë autoktonë, që prej vitesh nuk kanë kaluar nëpër shtetin turk, as kundërshtojnë politikat e Turqisë, por janë besimtarë të mirë që kontribuojnë për vendin e tyre. Etiketimi se KMSH nuk përfaqëson besimtarët e Shqipërisë është edhe një akt që i bëhet edhe Shqipërisë dhe nuk e meriton Komuniteti Mysliamn që të trajtohet në këtë mënyrë, sepse ka dhënë kontribut në konsolidimin e shumë vlerave të Shqipërisë në vite”, tha Bruçaj.
Në lajmet për Xhaminë e Namazgjasë u përfshi edhe një individ nga Turqia, i cili njoftoi përmes rrjeteve sociale se ishte emëruar të punonte në Xhaminë e re të Namazgjasë së Tiranës, një njoftim që u fshi më pas.
Bruçaj e cilësoi shokues lajmin përmes rrjeteve sociale që një imam turk ishte emëruar nga Komuniteti Mysliman i Turqisë si një nga drejtuesit e Xhamisë së Namazgjasë, nga një shtet i huaj pra, në një xhami shqiptare të një shteti sovran.
Por nënkryetari i KMSH-së Bica e quajti atë një person të vetëdeklaruar, ndërsa shtoi se çdo emërim sa i takon Xhamisë do të bëhet nga bordi i Fondacionit. /Njeshi/