Janë shënuar sot tre vite nga vdekja e bilbilit të këngës NEXHMIJE PAGARUSHA, pa ndonjë aktivitet përkujtues institucional.
Më 7 Shkurt të vitit 2020 në një ditë të acartë, të periudhës pandemike, në Prishtinë në moshën 86-vjeçare, pushoi së rrahuri zemra e madhe e bilbilit të Kosovës Nexhmije Pagarusha.
E lindur në maj të vitit 1933 në Malishevë në Kosovën qendrore, Nexhmie Pagarusha kishte filluar karrierën e saj muzikore në vitin 1948 në Radio Prishtinë.
Më 1984 ajo përmbylli karrierën e saj si këngëtare në një koncert në Sarajevë, pas një dështimi momental të kordave të zërit. Vendimi ishte marë në skenë.
Përveç këngëtare ajo ishte edhe aktore filmi e teatri.
Përgjatë karrierës është cilësuar si “Bilbili i Kosovës” dhe për vlerat e punës së saj është nderuar me çmimin “Nderi i Kombit” nga presidenca e Shqipërisë, ndërsa presidenca e Kosovës i ndau çmimin “Artiste e Merituar”.
Pas vetes NEXHMIJA la plot pesë albume e 88 këngë, prej tyre më të njohurat “Baresha” dhe “Zambaku i Prizrenit”.
Ajo do të mbahet mend si një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare.
Ndryshe, tash e 23 vjet, që prej themelimit, programi muzikor i natës ‘Top Folk’ i Fitim Behlulit, dikur në ‘Radio Dukagjini’ e tani në ‘RADIO 1’, mbyllet me Nexhmijen dhe ‘Bareshën’./Njeshi&RADIO 1/