Pos në themelim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si shtet kontribuues kanë dhënë edhe miliona euro buxhet për Dhomat e Specializuara për Kosovën ndër vite.
Megjithëkëtë, Richard Grenell njëri nga njerëzit më të afërt të Presidentit të zgjedhur, Donald Trump, kohë më parë kishte thënë se po të vij përsëri në pushtet shefi i tij, atëherë ata do ta lironin nga burgu Hashim Thaçin.
Por, ajo që udhëheq punën e këtij institucioni të pavarur të drejtësisë ku gjykohet Thaçi dhe të tjerët, Ekatarina Trendafilova nuk beson se ardhja e Trumpit do të ketë ndonjë ndikim në punën e Gjykatës.
“Ne nuk jemi subjekt politik, jemi gjykatë drejtësie dhe askush prej nesh nuk ka marrë pjesë në asnjë vendim për krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Hisedarët kryesorë janë shtetet anëtare të BE-së, dhe shtetet kontributdhënëse, në mesin e tyre edhe Amerikën. Nuk besoj që Amerika e cila ka qenë e lidhur me këtë projekt të Kosovës dhe BE-së, kjo mund të bëhet vetëm me njoftim nga Këshilli i Bashkimit Evropian që rastet kanë përfunduar, e hetimet janë kryer. Për sa i përket zgjedhjeve, ajo ishte zgjedhja e popullit amerikan, megjithatë Amerika njihet një nga vendet që shumë promovojnë sundimin e ligjit dhe nuk besoj ata do të përfshihen në diçka që ka të bëjë me Gjykatën Speciale”, ka thënë Trendafilova.
Kretarja e Dhomave të Specializuara për Kosovën ka mbajtur një takim online me gazetarë, ku ka treguar ecurinë e rasteve që janë duke u gjykuar.
Megjithatë, Trendafilova nuk mundi të tregojë një kohë të saktë se kur pritet të përfundojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Është komunikuar nga prokuroria se janë 43 dëshmitarë që prokuroria po mendon të dëgjojë, 43 dëshmitarë dhe të mbyllë çështjen dhe ende data është jo më vonë se prilli i vitit të ardhshëm. Dhe javën e kaluar prokuroria vendosi të anulojë nga lista 14 dëshmitarë. Sigurisht, ky është rezultat i politikës shumë të fuqishme të menaxhimit nga trupi gjykues 2, i cili zhvilloi një sërë konferencash me palët që ishin konferenca publike, duke diskutuar se çfarë hapash duheshin marrë për të intensifikuar ritmin e procedurave dhe për të përshpejtuar procedurat.”
Trendafilova ka thënë se në rastin e ish udhëheqësve të UÇK-së, janë 153 viktima të etnive të ndryshme. Ndërkohë, ajo ka njoftuar se është shtyrë nisja e gjykimit në çështjen ndaj Haxhi Shalës, Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit që ishin të parapara për këtë javë./Njeshi/