Pagat e muajit të kaluar për punëtorët e Flotacionit të Kishnicës tashmë janë ekzekutuar.
Ndërmarrja publike “Trepça” ka njoftuar se pagat nuk janë ekzekutuar deri më tani për shkak të problemeve buxhetore dhe përmbarimore, shkruan Telegrafi.
“Pagat për minatorët e Artanës dhe për personelin e sigurimit janë kryer më herët. Mjetet financiare janë siguruar nga eksporti i realizuar më 18.04.2025 nga njësia në Stan Tërg, dhe janë shfrytëzuar për mbulimin e pagave të njësisë në Kishnicë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, pagat për punëtorët e Flotacionit të Kishnicës janë ekzekutuar në tërësi.
Në mëngjesin e sotëm punëtorët e këtij flotacioni janë hyrë në grevë, ku shkaku ishte mos-ekzekutimi i pagave për muajin mars.
Xhevdet Jonuzi, përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës për media pati thënë se greva ishte paralajmëruar që nga java e kaluar.
“Po, sot kanë hyrë në grevë minatorët e Flotacionit të Kishnicës. Grevën e kemi paralajmëruar që nga java e kaluar. Arsyeja është mos-realizimi i pagave për muajin e kaluar”, pati thënë ai. /Njeshi/