Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, e ka ndaluar Universitetin e Harvardit të pranojë studentë ndërkombëtarë.
Administrata Trump thotë se mijëra studentëve aktualë u kërkohet ose të transferohen në universitete të ndryshme ose të largohen nga vendi.
“Kjo do të thotë se Harvardi nuk mund të regjistrojë më studentë të huaj dhe studentët ekzistues të huaj duhet të transferohen ose të humbasin statusin e tyre ligjor”, thuhet në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare.
Bëhet e ditur se agjencia e bëri njoftimin të enjten, duke deklaruar se Harvardi ka nxitur një atmosferë të pasigurt të kampusit duke lejuar “anti-amerikanë, pro-terroristë” të sulmojnë studentët hebrenj.
Për më tepër, ajo pretendoi se Harvardi ka bashkëpunuar me Partinë Komuniste Kineze, duke pretenduar se ka pritur dhe ka ofruar trajnime për anëtarët e një organizate paraushtarake kineze deri në vitin 2024, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Raportohet se Universiteti i Harvardit ka rreth 6,800 studentë ndërkombëtarë të regjistruar në kampusin e tij të vendosur në Kembrixh, Massachusetts, i cili përfaqëson mbi një të katërtën e popullsisë së përgjithshme studentore.
Shumica e këtyre studentëve po ndjekin studimet pasuniversitare dhe vijnë nga më shumë se 100 vende të ndryshme.
Harvardi e quajti veprimin të paligjshëm dhe tha se po punon për të ofruar udhëzime për studentët.
“Ky veprim hakmarrës kërcënon komunitetin e Harvardit dhe vendin tonë, dhe minon misionin akademik dhe kërkimor”, tha universiteti në një deklaratë.
Ndryshe, konflikti midis administratës Trump dhe Harvardit, universiteti më i vjetër dhe më i pasur në Shtetet e Bashkuara, është përshkallëzuar që kur Harvardi u bë institucioni i parë që rezistoi hapur ndaj kërkesave të Shtëpisë së Bardhë për ndryshime në shkollat elitare që janë etiketuar si baza e liberalizmit dhe antisemitizmit.
Qeveria federale ka reduktuar grantet federale për Harvardin me 2.3 miliardë euro, duke e detyruar universitetin të vetëfinancojë një pjesë të konsiderueshme të aktiviteteve të tij të gjera kërkimore. /Njeshi/