Ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, mund të marrë një post të rëndësishëm në Administratën e presidentit të zgjedhur Donald Trump. Fillimisht, emri i tij ishte përfolur për Sekretar Shteti, por tash po konsiderohet për një post të ri që Trump po planifikon ta krijojë.
Agjencia e lajmeve “Reuters” raporton duke u thirrur në burime se Trump po konsideron ta vendosë Grenellin si të dërguar special për luftën Rusi – Ukrainë.
Aktualisht nuk ka ndonjë emisar të posaçëm të dedikuar vetëm për zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë, e Trump duket se po planifikon ta krijojë si pozitë.
Nuk dihet ende nëse do të ketë një rol të tillë, mirëpo sipas katër burimeve që u referohet Reuters, ai po e konsideron fuqishëm krijimin e këtij posti.
Në raportimin e Reuters rikujtohet se si Grenell ka pasur rol në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, si i dërguar special i ShBA’së.
“Mbështetësit e Grenellit theksojnë se ai ka pasur një karrierë të gjatë diplomatike dhe ka një njohuri të thellë për çështjet evropiane. Përveç shërbimit si ambasador në Gjermani, Grenell ishte gjithashtu një i dërguar special presidencial për negociatat e paqes në Serbi dhe Kosovë”, thuhet në raportim.
Nga zyra e Trumpit nuk janë përgjigjur nëse Grenelli do të emërohet në këtë post. As vetë Grenell nuk ka komentuar.
Trumpi është zotuar gjatë fushatës për t’i dhënë fund luftës me shpejtësi, megjithëse nuk ka treguar se si do ta bëjë këtë.
Grenell, i cili shërbeu si ambasador në Gjermani dhe ishte ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit, do të luante rol kyç në përpjekjet e presidentit të zgjedhur për të ndalur luftën nëse zgjidhet përfundimisht për këtë post./Njeshi/