Vrasja e një lideri të Hamasit në Teheran poshtëroi liderët e Iranit, shkatërroi shpresat për një armëpushim dhe i la vendet e armatosura rëndë të Lindjes së Mesme duke u afruar në mënyrë të pashmangshme drejt një lufte gjithëpërfshirëse që të gjithë pretendojnë se nuk e duan.
Nëse presidenti i sapozgjedhur i Iranit, Masoud Pezeshkian, shpresonte për një “muaj mjalti” pas inaugurimit të tij javën e kaluar, ai fatkeqësisht është zhgënjyer.
Më pak se 12 orë pasi Pezeshkian u betua, një shpërthim, i shkaktuar nga një bombë e kontrolluar nga distanca, tronditi një kompleks të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në qendër të Teheranit.
Bomba nën krevat vrau Haniyeh në çast dhe muaji i mjaltit përfundoi.
Pezeshkian ishte fituesi surprizë i zgjedhjeve presidenciale të muajit të kaluar, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Duke nxjerrë jashtë garës një konservator të vijës së ashpër të favorizuar nga Ayatollah Ali Khamenei, udhëheqësit suprem të Iranit, ai premtoi të vendoste lidhjet diplomatike me SHBA-në dhe Evropën.
Shumë shpresonin se fitorja e tij do të lajmëronte një epokë më moderne, më progresive dhe do të qetësonte tensionet shoqërore, veçanërisht mbi veshjen e detyrueshme të hixhabit, e cila shkaktoi trazira të mëdha nën paraardhësin e tij, Ebrahim Raisi.
Por, vrasja e Haniyehut, që i atribuohet Izraelit dhe nuk u mohua në Jerusalem, i ka shkatërruar të gjitha ato shpresa.
Pezeshkian tani e gjen veten në sy të një stuhie ndërkombëtare që analistët paralajmërojnë se mund të çojë në luftë të gjithanshme, duke përfshirë Lindjen e Mesme.
I indinjuar nga një sulm i guximshëm që e poshtëroi atë, vendin e tij dhe forcat e tij të armatosura elitare, Khamenei – autoriteti përfundimtar i Iranit – thuhet se ka urdhëruar përgatitjet për hakmarrje të drejtpërdrejtë ushtarake kundër Izraelit.
“Hakmarrja për vdekjen e Haniyeh është detyra jonë”, tha Khamenei.
Tani bota pret të shohë se çfarë do të bëjë Irani.
Lindja e Mesme është lëkundur shpesh në prag të katastrofës që nga sulmet e 7 tetorit të Hamasit, të nisura në Izrael që vranë rreth 1,200 njerëz.
Në prill, pasi Izraeli vrau komandantët e lartë të IRGC-së në konsullatën e Iranit në Damask, Irani gjuajti qindra raketa dhe drone në sulmin e tij të parë kokë më kokë mbi Izraelin që nga revolucioni i vitit 1979.
Një koalicion ndërkombëtar ad hoc i përbërë nga forcat ajrore të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Arabis Saudite dhe Jordanisë e ndihmoi Izraelin të kapte dhe shkatërronte shumicën e predhave.
Raportet në mediat amerikane sugjerojnë se Pentagoni tani po nxiton të kryejë një operacion të ngjashëm shumëkombësh, por disa vende mund të mos pranojnë të marrin pjesë përsëri.
Ky ngurrim i dukshëm pasqyron zemërimin e thellë ndaj qeverisë izraelite dhe kryeministrit të saj, Benjamin Netanyahu, veprimet e të cilit si vrasja e Haniyeh dhe komandantit të Hezbollahut Fuad Shukr, shihen gjerësisht si provokuese dhe përshkallëzuese në mënyrë të pamatur.
Siç raportohet, vrasjet kanë shkatërruar përsëri shpresat për një armëpushim në Gazë – që duket se i përshtatet qëllimeve të Netanyahut.
Hapi i ardhshëm i Iranit mund të jetë vendimtar në përcaktimin nëse Lindja e Mesme zhytet në kaos ose jo.
Megjithatë, pozicioni i tij kryesor nuk duhet të jetë befasi.
Shfaqja graduale e tij si fuqia kryesore e rajonit është përshpejtuar në prag të 7 tetorit.
“Boshti i rezistencës” anti-izraelit, anti-amerikan i Iranit, duke përqafuar grupet islamike militante në Liban, Siri, Irak dhe Jemen, dhe gjithnjë e më hapur dhe i mbështetur nga Kina dhe Rusia, është tani një forcë e madhe që sfidon rendin e vendosur të udhëhequr nga perëndimi.
Dy zhvillime të tjera të lidhura po e çojnë Lindjen e Mesme drejt greminës.
Njëra është veprimet e pashembullta, vetëshkatërruese të koalicionit qeverisës të djathtë të Izraelit, i cili përfshin hebrenj fanatikë dhe ekstremistë nacionalistë./Njeshi/