Shfaqja “Udhëtimi i gjatë drejt natës” me regji të Iliriana Arifi, jepet sot premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Më poshtë janë detajet e shkurtra rreth shfaqjes.
Shfaqja portretizon familjen Tajron, udhëtimin e tyre emocional në sfidat e varësisë dhe pasojat e saj të thella. Xhejms Tajron, babai, lufton me alkoolizmin ndërsa gruaja e tij, Meri, përballet me varësi nga morfina. Djemtë e tyre, Xhejmi dhe Edmund, gjithashtu luftojnë me alkoolizmin dhe sëmundjen e tuberkulozës.
Në këtë shfaqje me emocione të fuqishme, familjarët përballen me njëri-tjetrin dhe demonët e tyre të brendshëm, duke i shpërfaqur veprimet, keqardhjet dhe gabimet e tyre të kaluara dhe të tanishme. Ndërsa mesnata afrohet përmes tiktakeve të orës, tensionet rriten, sekretet zbulohen dhe realiteti i thellë i situatës së tyre bëhet i pamohueshëm.
“Udhëtim i gjatë drejt natës” shërben si një kujtesë prekëse për fuqinë shkatërruese të varësisë, jo vetëm për individin, por edhe për familjen. Poashtu shpërfaqë rëndësinë jetike të ndjeshmërisë dhe mirëkuptimit në përballje me varësinë, duke theksuar nevojën për komunikim të hapur dhe sinqeritet të palëkundur për ta mposhtur atë.
“Udhëtim i gjatë drejt natës” ndriçon rrugën drejt shërimit dhe ofron një mesazh të fuqishëm shprese në mes të netëve më të errëta.
Autor: Eugene O’Neill
Regjisore: Iliriana Arifi
Luajnë: Ernest Malazogu, Arta Selimi, Allmir Suhodolli, Don Shala, Florie Bajoku
Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku
Skenograf: Bekim Korça
Kostumografe: Njomza Luci
Kompozitor: Memli Kelmendi
Asistent regjie: Astrit Bytyqi
Realizator i kostumeve: Shemsi Avdiu
Realizator i skenografisë: Armend Hyseni
Mjeshtër ndriçimi: Mursel Bekteshi, Sherif Sahiti
Inspicient: Bajram Mehmetaj
Disejni: Nita Qahili
Foto/video: Erman Musliu