14.2 C
Pec
E enjte, 23 Maj, 2024

Ukraina: Faleminderit Prishtinës për ndihmën, rreth KiE do të vendosim bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe interesat tona

Republika e Kosovës është duke bërë përpjekje që të sigurojë përkrahjen e mjaftueshme në Komitetin e Ministrave në mënyrë që të anëtarësohet përfundimisht në Këshill të Evropës. Përveç shteteve aleate që janë të përfshira në dialogun e Brukselit e të cilat po e kushtëzojnë votën “pro” me nisjen e procedurave për themelimin e Asociacionit, vështirësi për Kosovën janë edhe shtetet që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Një ndër to është edhe Ukraina, e cila është duke u përballur me agresionin e paprecedent të Rusisë së Vladimir Putinit. Kosova qysh në fillim të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës është rreshtuar krahas demokracive të botës duke dënuar aktet e Rusisë dhe duke i ofruar Ukrainës përkrahje në përballje me agresionin rus.

Por, a do ta ketë Kosova përkrahjen e Ukrainës dhe votën “pro” në Këshill të Evropës. Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Ambasada e Ukrainës në Beograd kanë argumentuar fillimisht për rëndësinë e respektimit të kufijve të shteteve duke thënë se respektimi i pakushtëzuar i normave të së drejtës ndërkombëtare nga të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare është e një rëndësie jetike për Ukrainën dhe potencojnë se në fund të fundit janë duke e ndjerë vetë se çfarë ka sjellë shpërfillja e parimeve të tilla.

Nga Ambasada e Ukrainës kanë thënë për Gazetën Express se mafiozët rusë janë duke kryer krimet e duke vrarë mijëra ukrainas në Ukrainë, duke shpërfillur të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e integritetit territorial dhe paprekshmërinë e kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht.

“Mafiozët rusë kryejnë krime të shumta lufte dhe vrasin mijëra ukrainas në tokën tonë, duke shpërfillur të drejtën ndërkombëtare të pranuar përgjithësisht, në veçanti parimet e integritetit territorial dhe paprekshmërinë e kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Me këtë, ata i mbulojnë krimet e tyre me përkufizime të tyre mjaft të errëta, të panjohura ndërkombëtarisht, si “mbrojtja e të drejtave të popullatës rusishtfolëse””, kanë thënë për Express nga Ambasada e Ukrainës në Beograd.

Prandaj, Ambasada e Ukrainës në Beograd potencon se Kievi zyrtar respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Shteteve, përfshirë edhe “integritetin territorial të Serbisë”. Për këtë thonë se kanë pozicion parimor dhe të qëndrueshëm.

“Prandaj, Ukraina respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Shteteve. Detyra jonë prioritare është të kapërcejmë agresionin rus kundër Ukrainës. Pozicioni i Ukrainës është parimor dhe i qëndrueshëm – Ukraina respekton integritetin territorial të Serbisë”, kanë shtuar nga Ambasada e Ukrainës në Beograd.

Lidhur me negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë, Ambasada e Ukrainës ka thënë se mbështesin punën që po bën Bashkimi Evropian për të gjetur paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se Ukraina bën thirrje që të dialogohet në mënyrë paqësore dhe që palët të përmbushin angazhimet e tyre.

“Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të negociojnë në mënyrë paqësore, të përmbushin angazhimet e tyre dhe në fund të pranojnë vendimin që do të marrin Beogradi dhe Prishtina. Ne mbështesim përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet tutje në përgjigjen e Ambasadës së Ukrainës dhënë për Gazetën Express.

Kievi zyrtar, thuhet në përgjigje, është mirënjohës për ndihmën që Kosova i ka dhënë Ukrainës, dhe shtojnë se sa i përket çështjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Ukraina do të marrë vendime të bazuara në normat e së drejtës ndërkombëtare dhe interesat e saj kombëtare.

“Ne jemi mirënjohës për ndihmën e dhënë Ukrainës nga Prishtina. Aktualisht, çështja e anëtarësimit të Kosovës nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Mund t’ju siguroj se Ukraina do të marrë vendime të udhëhequra nga normat e së drejtës ndërkombëtare dhe interesat e saj kombëtare”, potencon përgjigja.

Në fund nga Ambasada e Ukrainës në Beograd potencojnë se “Çështja e rendit juridik botëror duhet të zgjidhet në tryezën e bisedimeve, jo me armë dhe agresion. Ukraina bën thirrje për këtë, duke propozuar Formulën e Paqes dhe duke mbajtur Samitin Global të Paqes”. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...