3.6 C
Pec
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

UNDP në Kosovë publikon analizën mbi efektet e liberalizimit të vizave në migrim

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar të hënën analizën e pulsit publik lidhur me efektet e liberalizimit të vizave në migracionin nga Kosova.

Sipas rezultateve të këtij studimi, 32% e të anketuarve kanë udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave.

Gjermania rezultoi destinacioni më i popullarizuar, e ndjekur nga Zvicra dhe Austria.

Megjithatë, 64% e të anketuarve shprehën se nuk planifikojnë të migrojnë drejt BE-së. Nga ana tjetër, 9.8% kanë deklaruar se kanë në plan të shpërngulen në një vend të BE-së.

Alisa Hasani, menaxhere e projektit në USAID, theksoi se 95.3% e pjesëmarrësve e kuptojnë saktë se liberalizimi u mundëson vetëm të udhëtojnë pa viza, ndërsa vetëm 2.5% mendojnë gabimisht se mund të punojnë lirisht në BE falë këtij vendimi.

Hasani tha se shumica e udhëtimeve kanë qenë për qëllime vizitash familjare dhe shoqërore.

Përfaqësuesi i UNDP-së në Kosovë, Dudley Tartlton, theksoi rëndësinë e analizës për të kuptuar më mirë demografinë e migracionit dhe ndikimin në tregun e punës në Kosovë.

Ai paralajmëroi se migracioni mund të ketë efekte të mëdha në shoqëri dhe në fuqinë punëtore në afatshkurtër dhe afatmesëm.

Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Zhvillim Ekonomik të USAID-it në Kosovë, Alex Albertine, e konsideroi këtë analizë si një mjet të rëndësishëm për institucionet kosovare.

Ai theksoi nevojën për të përdorur të dhënat për të kuptuar më mirë ndikimet ekonomike të migracionit dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimi për Kosovën.

Ky studim pritet të ndihmojë politikëbërësit në hartimin e masave për zbutjen e sfidave të migracionit dhe shfrytëzimin e potencialit ekonomik të vendit./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...