UNICEF në partneritet me Bashkimin Evropian në Kosovë shënuan sot Ditën Botërore të Fëmijëve, për çka u theksua rëndësia e mbrojtjes së të drejtave të tyre.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se data 20 nëntor është shumë e rëndësishme sepse para shumë vitesh janë miratuar dokumente të rëndësishme për të drejtat e fëmijëve në Kombet e Bashkuara.
Ai tha se këto dokumente kanë rol të rëndësishëm për të gjithë fëmijët mbarë botës.
Orav u shpreh se “fëmijët janë fillimi, mesi dhe fundi i të gjitha tregimeve”.
Ai potencoi se Kosova ka përfunduar kornizën legjislative për mbrojtjen e fëmijëve, derisa shtoi se tashmë fokusi duhet të jetë te zhvillimi i skemave financiare për fëmijët e cenueshëm dhe familjet në nevojë për ndihma sociale.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci potencoi se në Ditën Botërorë të Fëmijëve riafirmoj përkushtimin për të mbrojtur përkushtimin për të drejtat e fëmijëve. Ajo tha se tematika e zgjedhur këtë vit në kuadër të kësaj dite tregon rëndësinë e dëgjimit të zërit të fëmijëve sot dhe çdo ditë.
Në kuadër të kësaj dite, Nagavci tregoi se MASHT-i ka hapur zyrtarisht javën kundër braktisjes së shkollimit.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se është punuar me prioritet në hartimin e politikave sociale të përgjithshme, duke avancuar sipas saj të drejtat e fëmijëve.
Haxhiu theksoi se është zhvilluar një reformë e thellë e cila në fokus ndër të tjera ka kujdesin, mbrojtjen dhe mirëqenien sociale të fëmijëve, në veçanti të kategorisë së cenueshme.
Ndër të tjera, ajo përmendi se Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 1 milionë euro më shumë se këtë vit nga buxheti i Kosovës, për organizatat që merren me çështje familjare.
Ndërkaq, drejtori në Zyrën për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini tha se përkundër arritjeve në këtë fushë, ka shumë punë për të bërë për të drejtat e fëmijëve.
Në kuadër të kësaj ngjarje, fëmijët e pranishëm patën mundësinë t’iu bënin pyetje drejtuesve të institucioneve në Kosovë dhe jo vetëm, lidhur me kërkesat dhe ankesat e tyre./Njeshi/