Universiteti “Haxhi Zeka”, në bashkëpunim me kompaninë Terra, ka prezantuar sot një projekt inovativ për sektorin e turizmit në Kosovë – Barometrin Turistik.
Ky project përfaqëson platformën e parë të këtij lloji në vend dhe synon të ofrojë një pasqyrë të detajuar dhe të bazuar në të dhëna mbi performancën e sektorit turistik, duke përfshirë cilësinë e shërbimeve në hotele dhe restorante. Barometri Turistik është ndërtuar mbi një analizë të thelluar të vlerësimeve dhe komenteve të vizitorëve, duke krijuar një sistem që mat në mënyrë objective përvojën e klientëve në sektorin e mikpritjes.
Me këtë platformë, për herë të parë, komunat, bizneset dhe institucionet përkatëse do të kenë qasje në të dhëna të detajuara mbi perceptimin e turistëve dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara në destinacionet kryesore të vendit. Përveç ofrimit të analizave të bazuara në të dhëna, ky projekt përfshin edhe një komponent inovativ – një asistent virtual (ChatBot) i ndërtuar për të ndihmuar pronarët e hoteleve dhe restoranteve të kuptojnë më mirë performancën e tyre dhe të përmirësojnë shërbimet që ofrojnë.
Ky asistent (ChatBot) do të analizojë komentet dhe vlerësimet, duke ofruar rekomandime konkrete për përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe menaxhimin e reputacionit online.
Ky projekt është një hap i rëndësishëm në strategjinë e Universitetit “Haxhi Zeka” për të ndërlidhur akademinë me sektorin privat dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Universiteti synon të vazhdojë të jetë një qendër inovacionit dhe kërkimit shkencor, duke sjellë projekte konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. Barometri Turistik i Kosovës jo vetëm që ndihmon në monitorimin e cilësisë së shërbimeve turistike, por gjithashtu krijon mundësi të reja për zhvillimin e strategjive më të mira për promovimin dhe përmirësimin e turizmit.
Kjo platformë do t’i ndihmojë komunat dhe bizneset të identifikojnë pikat e tyre të forta dhe të dobëta, duke i orientuar drejt investimeve dhe përmirësimeve që do ta bëjnë Kosovën një destinacion turistik më konkurrues. Universiteti “Haxhi Zeka” do të vazhdojë të luajë një rol kyç në sjelljen e risive dhe projekteve të cilat ndihmojnë në zhvillimin e vendit.
Për më shumë informata mbi këtë projekt dhe qasjen në analizat e detajuara të Barometrit Turistik, mund të vizitoni platformën zyrtare në linkun: https://unhz.eu/blog/barometri-turistik-i-kosoves/
KosovaPress: Kjo është e dyshuara e arrestuar për spiunazh, që e zbuloi AKI
Trump përzë Zelenskyn: Mund të kthehet kur të jetë gati për paqe