Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se ka emëruar kolonelin e FSK-së Ejup Maqedonci në pozitën e ministrit të Mbrojtjes, pas dorëheqjes së befasishme të Armend Mehaj.
Kurti ka njoftuar se ka pranuar dorëheqjen e ministrit të deritanishëm Armend Mehaj, e cila sipas tij është bërë për shkaqe familjare.
“Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës. Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera”, ka shkruar Kurti.
E ish-ministri Mehaj tha po ashtu se është larguar për shkaqe familjare, e që kryeministrin Kurti e kishte lajmëruar kohë më parë për vendimin e tij.
Mehajdo të zëvendësohet nga koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Kush është Ministri i ri i Mbrojtjes:
Maqedonci është ushtarak i karrierës.
Kolonel Maqedonci ka përfunduar dy Kolegje ushtarake dhe dy programe master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Para se të bëhej pjesë e FSK-së, Ejup Maqedonci kur i kishte 19 vjet iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’i shërbyer edhe atëkohë atdheut të tij.
Gjatë asaj kohe, ka shërbyer si Komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit në UÇK.
Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili një trajnim në vitin 2010 në Japoni e kishte përfunduar me lëndim të rëndë, dhe kishte refuzuar 30 mijë dollarë për shërim, vetëm që të mos dëmtohet imazhi i ushtrisë së Kosovës.
“Gjatë atij trajnimi, fatkeqësisht unë u lëndova. Nga zyrtarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë u ftova që të diskutojë rreth ndërprerjes së trajnimit dhe kthimit në Kosovë, si dhe tërheqjes së shumës prej 30 mijë dollarëve që ka qenë në kontratë. Unë as që e kam menduar punën e 30 mijë dollarëshit. Kam pasur shqetësim se nuk do të mund të vazhdojë punën e trajnimit. Ditën e nesërme kam kërkuar nga japonezët që të vazhdojë trajnimin edhe me një këmbë”, deklaroi Ejup Maqedonci.
Pas këtij veprimi, nga autoritet japoneze, Maqedonci ishte caktuar përgjegjës i ushtarëve të 8 shteteve pjesëmarrëse nga e gjithë bota.
Mehaj kishte ardhur nga Norvegjia për t’u bërë pjesë e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, e cila u votua në mars të vitit 2022. /Njeshi/