Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e nisjes së një grupi të ushtarëve kroatë për në Kosovë, të cilët do t’i bashkohen misionit të KFOR-it për një periudhë prej 7 deri 9 muaj.
Millanoviq në fjalën e tij, ka thënë se misioni i KFOR-it në Kosovë është “imponim i paqes” për ata që mendojnë ndryshe.
“Është parandalimi i konfliktit dhe mbrojtja e situatës ekzistuese, duke u imponuar paqen atyre që mendojnë ndryshe. Ju po shkoni në një mision për të ruajtur dhe konkurruar për paqen, pa forcë, por duke treguar potencialin e forcës, me besimin se kjo forcë nuk do të përdoret kurrë”, ka thënë Millanoviq.
Komandanti Suprem i forcave kroate ka treguar edhe për specifikat e funksionimit të misionit të KFOR-it në Kosovë, shtet i cili vazhdon të mos njihet nga disa prej shteteve anëtare të NATO-s.
Ai ka shprehur interesim që Kroacia të marrë pjesë edhe në ruajtjen e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë.
Presidenti kroat ka uruar pjesëtarët e kontingjentit të 42-të kroat para nisjes për Kosovë.
.“Ju keni zgjedhur një punë që është gjithmonë e rrezikshme dhe e pasigurt dhe i takon shtetit t’ju japë mbështetjen maksimale që të dilni më të mençur, më të zgjuar, më të përgatitur, të gjallë dhe të shëndetshëm”, tha ai
Pjesa kryesore e kontingjentit të 42-të kroat përbëhet nga anëtarë të Ushtrisë Tokësore Kroate nga Brigada e Mekanizuar-Blinduar e Gardës, si dhe pjesëtarë të Forcave Ajrore Kroate, Komandës Mbështetëse dhe Regjimentit të Zbulimit. /Njeshi/