Ushtria izraelite (IDF) ka njoftuar se ka rrethuar plotësisht qytetin Rafah në Rripin jugor të Gazës dhe ka krijuar një zonë të re sigurie, të ashtuquajturin Korridori Morag, që ndan Rafahun nga Khan Yunis.
IDF njoftoi se kishte përfunduar ngritjen e korridorit “në 24 orët e fundit”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sipas tyre, ushtria “eliminoi dhjetëra terroristë, shkatërroi tunele nëntokësore dhe infrastrukturën terroriste të Hamasit” si pjesë e operacionit, i cili zgjati rreth dhjetë ditë.
Bëhet e ditur se me krijimin e Korridorit Morag, qytetet Rafah dhe Khan Yunis u ndanë.
Së bashku me korridorin Netzarim më në veri, Rripi i Gazës tani është i ndarë në tre pjesë.
Ministri i Mbrojtjes Israel Katz i përshkroi zonat e pushtuara si “zona sigurie” që do t’i shërbejnë Izraelit.
Ndryshe, aksioni është i fundit në një konflikt që filloi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. /Njeshi/