Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance paralajmëroi të martën udhëheqësit botërorë dhe drejtuesit e sektorit të teknologjisë se “rregullat e tepruara” mund të dëmtojnë industrinë e inteligjencës artificiale, që po rritet me shpejtësi. Kjo shihet si një kritikë ndaj përpjekjeve evropiane për të ulur rreziqet nga inteligjenca artificiale.
Fjalimi i tij nxori në pah edhe qëndrimet e kundërta në lidhje me inteligjencën artificiale.
Shtetet e Bashkuara, nën drejtimin e administratës së re të Presidentit Donald Trump, mbështet një përqasje më liberale për të ushqyer novacionin, ndërkohë që Evropa po i shtrëngon edhe më tej rregullat e saj të rrepta, për të patur llogaridhënie dhe siguri. Ndërkohë, Kina po zgjeron me shpejtësi sektorin e inteligjencës artificiale nëpërmjet kompanive gjigande të mbështetura nga shteti dhe synon të dominojë garën globale.
Ra në sy mungesa e Shteteve të Bashkuara ndër 60 vendet që firmosën një deklaratë, ku u zotuan “për të nxitur qasjen tek inteligjenca artificiale me qëllim zvogëlimin e hendekut dixhital” dhe “për t’u siguruar që inteligjenca artificiale të jetë e hapur, gjithëpërfshirëse, transparente, etike, e sigurtë dhe e besueshme”.
Marrëveshja bëri gjithashtu thirrje që “inteligjenca artificiale të jetë e qëndrueshme për njerëzit dhe planetin” dhe për të mbrojtur “të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, shumëllojshmërinë gjuhësore, mbrojtjen e konsumatorëve dhe të drejtat e pronësisë intelektuale”.
Mesazhi i Nënpresidentit Vance
Në takimin e nivelit të lartë, Nënpresidenti Vance mbajti fjalimin e tij të parë të rëndësishëm për politikat, që nga marrja e detyrës muajin e kaluar, duke e përkufizuar inteligjencën artificiale si një pikë kthese, por duke paralajmëruar se “në këtë moment, përballemi me perspektivën e jashtëzakonshme për një revolucion të ri industrial, të ngjashëm me shpikjen e motorit me avull”.
“Por, nuk kjo nuk do të ndodhë kurrë nëse rregullat e tepruara i dekurajojnë novatorët që të mos ndërmarrin rreziqet e nevojshme për të arritur përparim”, tha Nënpresidenti Vance.
Nënpresidenti 40-vjeçar amerikan po shfrytëzon pjesëmarrjen në takimin e nivelit të lartë për inteligjencën artificiale dhe në konferencën e sigurisë në Mynih në vazhdim të kësaj jave, për të projektuar stilin e ri të diplomacisë dinamike të Presidentit Trump.
Administrata e Presidentit Trump do të “sigurohet që sistemet e inteligjencës artificiale të prodhuara në Amerikë nuk do të kenë anshmëri ideologjike”, tha Nënpresidenti Vance dhe u zotua se Shtetet e Bashkuara “nuk do të kufizonin kurrë lirinë e shprehjes së qytetarëve tanë”.
Një ndasi në rritje
Nënpresidenti Vance kritikoi qeveritë e vendeve të tjera për “shtrëngimin e parametrave” për kompanitë amerikane të teknologjisë, duke thënë se lëvizje të tilla ishin shqetësuese. Komentet e tij vunë në dukje ndasinë në rritje mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë në lidhje me rregullat që mund të vendosen për inteligjencën artificiale./Njeshi/