Qeveria e Kosovës ka miratuar vazhdimin e mandatit të Komisionit për verifikimin e diplomave të Universitetit të Mitrovicës së veriut.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë ka hedhur në votim plotësim – ndryshimin e vendimit të qeverisë së Kosovës për themelimin e Komisionit të Universitetit të Mitrovicës së veriut. Ky propozim është miratuar unanimisht nga kabineti qeveritar.
Kurti tha se çdo qytetar do ta ketë të drejtën për edukim dhe punësim.
“Për t’ua mundësuar qytetarëve tanë të komunitetit jo shumicë që studiojnë në Universitetin e Mitrovicës së veriut që t’i qasen tregut të punës dhe mundësive të barabarta brenda administratës shtetërore kemi themeluar komisionin për verifikimin e diplomave. Me propozimin e sotëm dhe me miratimin tuaj i nderuari kabinet qeveritar po vazhdojmë mandatin e këtij komisioni edhe për 6 muaj”, tha Kurti. /Njeshi/