Që nga dita e shtunë, bjeshkët e fshatit Lubeniq janë përfshirë nga zjarri. Megjithë përpjekjet e banorëve, zjarri nuk ka arritur të shuhej.
Hoxha i fshatit Lubeniq Besnik Huskaj, i cili është dhe kryetar i Shoqatës bjeshkatare Alpiniste “Lybeniqi”, thotë për Indeksonline se megjithëse një grup i vullnetarëve të fshatit janë aktivizuar që nga dita e diel, që ta ndalin zjarrin, kjo ka qenë e pamundur, pasi që terreni është shumë i vështirë.
Huskaj pohon se rreziku nga zjarri është prezent dhe se në ndihmë atyre u kanë ardhur zjarrfikësit e Pejës dhe Agjencioni i Pylltarisë, por se zjarri po vazhdon dhe në këto momente.
“ Zjarri nuk është ndal, ne pak më heret u kthyem nga atje. Është rrezik pasi që një pjesë është dru pishe qindra vjeçare. Sot e kemi lokalizu atë pjesë, por ende ka rrezik”, tha ai.
Huskaj madje pohon se megjithëse për gjendjen e krijuar me zjarrin në bjeshkët e fshatit, e kanë lajmëruar kryetarin e Pejës Gazmend Muhaxheri dhe se kanë kërkuar nga ai që të kërkojë nga KFOR-i të iu vjen në ndihmë me ndonjë helikopter, deri tani nuk është bërë asgjë.
“Zjarrëfikësit dhe pylltaria janë të njoftuar, por kërkohet numër më i madh i njerëzve dhe mjeteve adekuate, sepse duhet të bartet uji me krah, e terreni është shumë i vështirë“, ka thënë Huskaj./Njeshi/