8.1 C
Pec
E shtunë, 2 Mars, 2024

Vdekja e aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi – krerët institucional e quajnë artist të rrallë

Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi, ka ndërruar jetë sot në moshën 75 vjeçare.

Vdekja e tij ka pikëlluar të gjithë dhe reagime së fundmi kanë bërë edhe krerët e shtetit dhe politikanë të shumtë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani iu ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit kulturor për ndarjen nga jeta të aktorit Mirush Kabashi.

“Sot, kinematografia shqiptare mbeti pa aktorin e madh, ikonën Mirush Kabashi. Ai kombinoi për mrekulli karizmin, mjeshtërinë dhe përkushtimin, duke prekur thelbin e emocioneve njerëzore me një finesë të pashembullt dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë kinematografike. Secila paraqitje e tij ishte mishërim i angazhimit pasionant dhe të palëkundur ndaj artit”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka shtuar se Kabashi ishte  zëri artistik edhe i Kosovës me vargjet kushtuar sakrificës dhe luftës për liri e pavarësi.

“Trashëgimia nga magjia skenike e paraqitjeve të tij do të jetë kujtesë e jona e përhershme! Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor!
I përhershëm qoftë kujtimi për Mirush Kabashin”, u shpreh presidentja.

Kryeministri Albin Kurti tha se Mirush Kabashi do të kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe.

“Me pikëllim nisi kjo e martë, nga lajmi i mëngjesit të sotëm që në orët e hershme të këtij 5 dhjetori, ka vdekur Mirush Kabashi, aktori i madh shqiptar i teatrit dhe i kinemasë. Mbi një qind role të luajtura në skena teatrore dhe në sheshxhirime filmash, gjatë një karriere më shumë se gjysmëshekullore të gjatë, tregojnë për aftësitë e larta profesionale të Mirush Kabashit si edhe për shpirtin e fuqishëm artistik të tij prej aktori”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri u ka shprehur ngushëllime familjes Kabashi.

“Mirush Kabashi ishte “Sokrati” i vërtetë, te “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis. Mirush Kabashi e solli aq të gjallë Sokratin, madje duke i përngjarë pamjeve të skulpturave antike greke për Sokratin me mjekrën dhe flokët e shpupurisura si dhe duke i folur me zërin e tij fjalët e atij që foli aq shumë pa shkruar ndonjëherë asnjë fjalë, Sokratit!
I lindur më 17 prill 1948 në Shkodër por me origjinë nga Gjakova, ky shpirt artisti nga fisi i Kabashit, iu falë gjithë kulturës e popullit shqiptar nëpërmjet artit të tij dramatik.
Ngushëllime familjes Kabashi, kolegëve të tij të lojës dhe të skenës, mes nderimesh e kujtimesh për mjeshtrin e aktrimit, Mirush Kabashin”, është shprehur kryeministri.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka shkruar se Mirush Kabashi do të jetoj përjetësisht në zemrën e secilit shqiptar.

“Na paska lënë sot shqiptari, kosovari ynë, që këtë dhe, në të dy anët e kufirit, e kish Vatan e kish Atdhe. Mirush Kabashi, shkodrani me prejardhje nga Gjakova, në 75 vitet e jetës së tij realizoi mbi 100 role në teatër dhe film. Pas çmimeve si “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh i Punës”, Mirushit, me plotë meritë, iu nda edhe çmimi “Nderi i Kombit”.
Përmes kontributit për artin shqiptar, e posaçërisht recitimeve të tij të papërsëritshme, Mirush Kabashi do të jetoj përjetësisht në zemrën e secilit shqiptar – gjersa mali të bahet hi, e hiri mal përsëri”, ka shkruar Krasniqi.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka ngushëlluar familjen dhe komunitetin artistik pas vdekjes se artistit të madh shqiptar, Mirush Kabashi.

Haradinaj ka thënë se Mirush Kabashi do të kujtohet si artist i rrallë.

“Mjeshtri i artit, Mirush Kabashi, do të kujtohet ndër breza për profesionalizmin e tij prej artisti të rrallë. Ikja e tij në amshim, krijon boshllëk në kinematografinë shqiptare, gjithandej. Mjeshtër i madh i filmit dhe i teatrit, artist që i dha shumë kinematografisë në përgjithësi. Ua përcjelli ngushëllimet më të sinqerta familjes Kabashi, kolegëve artistë, dhe gjithë shqiptarëve”, është shprehur Haradinaj. /Njeshi/

 

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...