Pas afro një muaji në izolim, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mbërriti këtë të martë rreth orës 09:30 në Gjykatën e Apelit të Posaçëm ku do të shqyrtohet ankimi i tij për masën e arrestit me burg.
Po ashtu në gjykatë mbërriti dhe avokati amerikan Joshua Roberts i cili ka mbërritur dje në Shqipëri.
Seanca zhvillohet në orën 10:00 dhe do të drejtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi ndërsa Veliaj e ka quajtur arrestimin të pabazuar dhe ka kërkuar lirinë, duke argumentuar se nuk ka mundësi të shkatërrojë provat apo të largohet nga vendi.
Në ambientet e jashtme të godinës së GJKKO-së binte në sy mungesa e mbështetësve të Veliajt ndërkohë kishte një numër të shtuar të forcave të policisë.
Sipas gazetares së Euronews Albania, sot ka një numër të shtuar forcash policie pranë godinës së GJKKO-së.
“Duket se sot policia ka marrë masa për të siguruar perimetrin e SPAK dhe GJKKO-së, duke dërguar uniforma blu në terren. Kjo pas polemikave që u shënuan një muaj më parë, kur mbështetësit e Veliajt ishin të pranishëm pranë SPAK-ut. Sot, megjithatë, forcat e policisë janë të pranishme, por mbështetësit e kryebashkiakut mungojnë”, tha gazetarja Sara Demushi.
Veliaj akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, po hetohet për mosdeklarim pasurie.
Në seancë do të shqyrtohen edhe kërkesat për ndryshimin e masave për disa biznesmenë që po hetohen për të njëjtën çështje si Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi ndërsa Ajola Xoxa, Sokol Kryeziu dhe Fatmir Bektashi nuk e kanë ankimuar masën e mëparshme. /Njeshi/