32 C
Pec
E diel, 13 Korrik, 2025

Vendimet e (pa) ligjshme të Qeverisë në detyrë

Edhe pse ndodhet në mandat teknik që nga 9 shkurti 2025, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti ka marrë një numër të konsiderueshëm vendimesh që po cilësohen si të diskutueshme dhe potencialisht në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjatë periudhës 9 shkurt – 27 mars 2025, kjo Qeveri ka miratuar gjithsej 76 vendime, prej të cilave të paktën 13 janë vlerësuar nga ekspertë si tejkalim i kompetencave të një qeverie në largim.

Vendimet përfshijnë emërtme në pozita publike, miratime të dokumenteve strategjike, ndërhyrje në agjenci të pavarura dhe veprime në fusha të ndjeshme të politikës shtetërore.

Këto ndërhyrje janë bërë në një kohë kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituar, pas më shumë se 30 tentativash të dështuara për zgjedhjen e kryetarit të tij, dhe vendi ndodhet në një vakum institucional.

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu,në një prononcim për media thotë se vendimet e Qeverisë në detyrë nuk mund të pezullohen, pasi ajo është e rregulluar me ligj.

Sipas tij, një qeveri teknike mund të qëndrojë në detyrë deri në tri javë pas dorëzimit të mandatit dhe të marrë vendime që garantojnë funksionimin institucional.

‘’Vendimet e kësaj Qeverie nuk mund të pezullohen, ato vendime janë të rregulluara me ligj, qeveria në detyre është e rregulluar me ligj. Është qeveri teknike e cila duhet tri javë ditë të jetë në detyrë pas tri jave duhet ta marrë qeveria e re’’, deklaroi ai.

Megjithatë, Kryeziu paralajmëron se çdo tejkalim i kompetencave ose keqpërdorim i detyrës përbën shkelje ligjore dhe mund të trajtohet si vepër penale.

‘’Nëse bëhet keqpërdorim i detyrës ajo është shkelje dhe llogaritet si vepër penale’’, tha ish nënkryetari i Kushtetueses.

 

Në anën tjetër, ish-kreu i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, mban një qëndrim të kundërt. Ai thotë se nga momenti që deputetët e Kuvendit japin betimin, çdo vendim i marrë nga qeveria në detyrë është i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

‘’ Te gjitha vendimet pezullohen, nga momenti që deputetë japin betimin çdo vendim që është marrë është i kundërligjshëm dhe është kundër kushtetutës’’, tha ish-kreu I apelit.

Sipas Shalës, këto vendime duhet të kundërshtohen përmes Gjykatave të rregullta, por edhe në Gjykatën Kushtetuese, pasi cenojnë rendin kushtetues

‘’Këto vendime duhet të atakohen si në Gjykata ë rregullta po edhe ndonjë vendim në Gjykatë Kushtetuese për shkak se janë kundër ligjit dhe kundër Kushtetutës’’, deklaroi ai.

Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), deklaron se vendimet e Qeverisë në detyrë janë të kufizuara në legjitimitet dhe mund të kontestohen nëse tejkalojnë kompetencat e përcaktuara me ligj.

“Vendimet e marra nga një qeveri në detyrë në Kosovë janë të kufizuara në legjitimitet dhe mund të kontestohen për ligjshmërinë e tyre nëse tejkalojnë kompetencat e përcaktuara me ligj”, tha Kolshi.

Ai sqaron se sipas Ligjit për Qeverinë, një qeveri në detyrë lejohet të kryejë vetëm veprimtari të domosdoshme dhe të planifikuara, ndërsa nuk ka të drejtë të miratojë nisma për marrëveshje ndërkombëtare.

“Sipas Ligjit për Qeverinë, qeveria në detyrë lejohet të kryejë vetëm veprimtari të domosdoshme dhe të planifikuara në përputhje me Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe Ligjin vjetor për buxhetin. Përjashtimisht, një qeveri në detyrë nuk ka të drejtë të miratojë nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi, nuk mund të miratojë projektligje, amendamente kushtetuese, strategji apo dokumente konceptuale, dhe nuk guxon të iniciojë procedura të reja për emërime në pozita publike për të cilat është kompetente”, thotë ai.

Kolshi gjithashtu vë në dukje se kryeministri dhe disa ministra, të cilët janë njëkohësisht deputetë, shkelin dy nene të Kushtetutës dhe Ligjit për Qeverinë.

Ai paralajmëron se kjo situatë mund të kontestohet përmes rrugëve ligjore dhe kallëzimeve penale.

“Situata aktuale paraqet një ndërlikim shtesë, pasi Kryeministri dhe disa ministra, përveç funksionit ekzekutiv si pjesë e qeverisë në detyrë, janë njëkohësisht të zgjedhur si deputetë në Kuvendin e Kosovës. Kjo është në kundërshtim me nenin 72 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili ndalon mbajtjen e njëkohshme të funksionit të deputetit dhe ndonjë funksioni tjetër ekzekutiv në administratën publike. Ligji për Qeverinë në nenin 26 përcakton se nëse një anëtar i Qeverisë zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë, me qëllim të parandalimit të konfliktit të interesit dhe respektimit të parimeve të ndarjes së pushteteve. Mosrespektimi i kësaj dispozite e bën problematik jo vetëm legjitimitetin e vendimeve të marra nga këta zyrtarë, por edhe mundëson kontestimin e tyre përmes rrugëve ligjore”, përfundoi ai./Njeshi&FO/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...