Grupi i arrestuar të premten në mbrëmje për krim të organizuar dhe planifikim të vrasjes së dy personave ka dalë para gjykatës. Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke ua caktuar masën e paraburgimit pesë të dyshuarve.
Pesë personat e ndaluar të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Veprimet përgatitore për vrasje të rëndë”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, mund lehtë të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale”.
“Gjykata konsideron se pesha e veprave penale është e natyrës së rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e tyre është tejet e lartë andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”.
Ndryshe, Prokuroria Speciale njoftoi të shtunën se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë, kanë realizuar operacionin policor për arrestimin e “Grupit të organizuar kriminal”, të cilët dyshohen se kishin planifikuar dhe ndërmarrë veprime përgatitore për kryerjen e veprës penale “Vrasje” dhe “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” ndaj dy personave.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Njeshi/