Një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar në një vetaksident në rrugën Kllokot-Viti.
Lajmin ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Ju njoftoj se me datën 01.11 2024 rreth orës 01:15 ka ndodhur një vetaksident trafiku në aksin rrugor Kllokot-Viti. Dyshohet se ngasësi i automjetit me targa vendore humb kontrollin mbi automjetin, ka dalë jashtë rrugës dhe rrokulliset. Si pasojë pasagjeri i mjetit nga lëndimet e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku. Po ashtu, drejtuesi i mjetit pëson lëndime trupore për të cilat është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal në Gjilan”, ka thënë ai.
Ndërkaq, trupi i pajetë i viktimës me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion ndërsa vozitësi do të dërgohet në mbajtje./Njeshi/