Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Besart Krasniqi, në një konferencë për media, ka thënë se Komuna po e çon në falimentim kompaninë “Pastrimit”.
Ai deklaroi se kështu do të mbesin pa punë 900 punëtorë të kësaj ndërmarrje publike.
Krasniqi i bëri thirrje pushtetit lokal në kryeqytet që ta anulojë kontratën për menaxhimin e mbeturinave në vlerë prej 16.5 milionë eurosh.
“Kjo kontratë besojmë se është hapi i fundit para falimentimit të kompanisë ‘Pastrimi’ dhe rrjedhimisht papunësisë së më shumë se 900 punëtorëve. Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes së keqe që mbretëron në Prishtinë, sa i përket mbeturinave. dhe sigurisht kjo është e papranueshme për ne dhe për qytetarët e Prishtinës. Megjithatë, hapja e kësaj thirrjeje publike nga Komuna e Prishtinës, dhe mundësia që grumbullimi i mbeturinave të bëhet nga një operator privat, na dëshmojnë se i gjithë procesi i mbytjes së Prishtinës nga mbeturinat, gjatë tre viteve të fundit, është bërë qëllimisht nga ekzekutivi komunal për të ndryshuar më pas rregulloren për menaxhimin e mbeturinave, të futet një nen që lejon privatin operatorët të hyjnë në treg, dhe tani hapi i fundit, tenderi i madh 16.5 milionësh, ku e marrin privatët e tregut, ndërsa ‘Pashtrimi’ falimenton për mungesë të ardhurash 900 familjeve iu rrezikohet mirëqenia sociale”, tha ai gjatë konferencës. /Njeshi/