Lëvizja Vetëvendosje mbështet Marshin për Drejtësi, i cili pritet të mbahet këtë të diele me 2 prill prej orës 14:00 në Sheshin Zahir Pajaziti.
Me anë të një postimi në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka përkrahur këtë marsh.
“Lufta jonë çlirimtare është prej ngjarjeve historike më të vlefshme që kemi. Falë kësaj lufte të drejtë, sakrificës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve tanë, gëzojmë lirinë dhe shtetin që e kemi sot. Instanca të njëpasnjëshme gjyqësie kanë provuar ta gjykojnë luftën tonë çlirimtare por asnjëra nuk gjeti asgjë andaj edhe u formua kjo gjykatë e padrejtësisë speciale që po i mbanë krerët e luftës tonë në Hagë”.
Kjo parti ka përmendur vetëm Rexhep Selimin, ish-shefin e grupit të tyre parlamentar dhe anëtar të Kryesisë, i cili sipas VV-së, së bashku me Lëvizjen ishte kundër themelimit të kësaj gjykate.
“Rexhep Selimit, ish-shefit të grupit tonë parlamentar, anëtarit të Kryesisë, që së bashku me Lëvizjen ishin kundër themelimit të kësaj gjykate, i është këputur përgjysmë angazhimi i rëndësishëm e kontributi i mirë për vendin. Por, është e sigurt se Rexha ashtu siç ka kryer secilën punë me sukses do të dali fitimtar edhe në betejën e radhës”./Njeshi/