Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ditë më parë është pajisur me një veturë të tipit LAND Range Rover, veturë kjo e cila ishte konfiskuar nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Kjo veturë së bashku edhe me dy të tjera, i takonin Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi”, të cilat iu konfiskuan pas arrestimit të tij.
Drejtori i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Fadil Bunjaku në një intervistë për Telegrafin ka thënë se vetura të tilla të konfiskuara u janë dhënë në shfrytëzim të gjitha institucioneve shtetërore, e jo vetëm MPB-së.
E lajmin që bëri bujë për veturën e Peqanit, Bunjaku e ka arsyetuar me faktin se është person publik.
“Në fakt njeriu pak më i njohur dhe ka bërë ndikim mediatik, përndryshe kerri i është dhënë ministrisë dhe normal e vozit kabineti, stafi dhe kushdo që ka nevojë. Nuk ka marr automjet vetëm Xhelal Sveçla, por të gjitha ministritë dhe institucionet tjera. Sepse përveç ligji që e lejon dhënien në shfrytëzim të institucioneve është nxjerr dhe një memorandum i bashkëpunimit me Kryeprokurorit të Shtetit, Këshillit Gjyqësorë dhe Këshillit Prokurorial ku thuhet që mjetet të jepen në shfrytëzim sa më shumë institucioneve të Kosovës për shkak të kursimeve buxhetore”, ka shpjeguar Bunjaku.
Sipas tij, vetura e konfiskuara u jepen institucioneve në shfrytëzim të përhershëm.
“Ato automjete regjistrohen në emër të atij institucioni të cilit i jepet në mënyrë të përhershme”, tha ndër të tjera drejtori Bunjaku.