Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, njëherësh kryetar i Mitrovicës, ka shkuar në orët e vona në vendin e ngjarjes në Varaga të Zubin Potokut, nga ku ka dënuar aktin dhe ka kërkuar nga organet e rendit dhe ligjit që ta zbardhin rastin dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
Hamza është shprehur i shqetësuar me ndërprerjen e furnizimit të ujit të pijes dhe pasojat në furnizimin me energji elektrike.
“Erdha në Varagë të Zubin Potokut, në vendngjarje, për ta parë nga afër gjendjen dhe dëmet e shkaktuara në kanalin ujor nga mjeti shpërthyes. E dënoj aktin dhe kërkoj nga institucionet e rendit dhe ligjit, që ta zbardhin sa më shpejt rastin dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë. Jam shumë i shqetësuar me ndërprerjen e furnizimit të ujit të pijes dhe pasojat në furnizimin me energji elektrike. Po ashtu, jam në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e vendit të përfshira në sanimin e dëmit dhe shpresoj të tejkalohet sa më shpejt kjo situatë”, ka shkruar Hamza./Njeshi/