Dy deputetët e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani kanë deklaruar se nuk do të votojnë asnjë ligj derisa vajza e mbuluar me incialet A.D. të kthehet në Gjimnazin “Bedri Pejani’.
Të dy deputetët kanë deklaruar një qëndrim të tillë, pasi vajzës me inicialet A.D. nga Peja i është ndaluar ndjekja e mësimit për shkak të bartjes së shamisë.
Deputeti Visar Korenica iu është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që t’ia lejojnë asaj të drejtën për shkollim.
“Nuk kam ndonjë hapësirë tjetër për me marrë fjalën. Po du me ngritë një shqetësim aktual. Të njëjtin shqetësim e kam ngritur edhe vitin e kaluar dhe më vjen keq që ministrja e Arsimit nuk është në Kuvend. Ka katër javë që një vajzë nuk po vijon procesin mësimor në Pejë dhe është e moshës madhore, i ka 18 vjet. Çdo dy-tre ditë paraqitet në shkollë dhe përjashtohet nga drejtori Musa Nikqi dhe nuk e kuptoj se sa e drejtë është që ne të qëndrojmë këtu si deputetë dhe ju si kuvendar në krye të Kuvendit, por edhe vetë ministrja e Arsimit dhe të mos merret me rastin dhe me i dhënë të drejtën vajzës me shku në shkollë. Ne e kemi këtë përgjegjësi kolektive edhe si deputetë edhe ju si kryetari i Kuvendit dhe nuk ka kuptim me vazhdu me votimin dhe mos mu marrë dhe me trajtu këtë rast dhe me ia dhënë të drejtën për arsim. Pra, i çoj mesazh drejtpërdrejt ministres së Arsimit të merret me rastin dhe të mos lejojë që këto probleme çdo vit me u paraqit për një faj që ne e kemi trashëguar nga dikush tjetër që e ka vendosur një udhëzim administrativ diskriminues”, tha ai./Njeshi&Teve1/