Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka thënë se bashkëpunimi i vazhdueshëm me Gjermaninë është shumë i rëndësishëm për ta kthyer sistemin e shëndetësisë në sistem të besueshëm, të avancuar dhe të sigurt për qytetarët.
Përmes një postimi në Facebook ministri Vitia ka njoftuar se sot, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Shëndetësisë së Gjermanisë, Dr. Karl Lauterbach, në kuadër të Samitit Botëror të Shëndetësisë në Berlin.
Vitia ka thënë se gjatë bisedës, ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë ndër vite për Republikën e Kosovës.
“E njoftova Ministrin Lauterbach me prioritetet dhe investimet tona. Po ashtu, biseduam për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë në të ardhmen. Paraqita gjatë takimit dhe nevojën për ndihmën teknike e investimet nga Gjermania përfshirë edhe atë për funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë”, ka shkruar ministri në Facebook.
Tutje Vitia ka thënë se gjatë takimit, ka kërkuar nga homologu i tij mbështetje për edukimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mjekëve tanë përmes trajnimeve në Gjermani, për përmirësimin e kapaciteteve tona shëndetësore.
Sipas Vitisë Ministri Lauterbach, ka shprehur gatishmëri për intensifikimin e bashkëpunimit dhe ndër tjera është shprehur se shqiptarët e Kosovës janë të vyer, të besueshëm, profesionistë dhe që mund të mbështetesh tek ta.